Italia ka bërë publike listën me 30 futbollistë për Botërorin
Romë, 15 maj - Trajneri i Italisë, Cesare Prandelli, ka bërë publike listën me 30 futbollistë të përfaqësueses së të kaltërve për Kupën e Botës Brazil 2014.
Lajmi më i rëndësishëm është ftesa për sulmuesin e Fiorentinës Giussepe Rossi, I cili qëndroi për një kohë të gjatë jashtë fushave të blerta për shkak të një dëmtimi të rëndë në ligamentet e gjurit.
27-vjeçari, u kthye në formacionin e Fiorentinës në finalen e Kupës së Italisë me Napolin, ku u aktivizua në pjesën e dytë.
Edhe pse i mungojnë minutat në këmbë, Prandelli beson se deri në sfidën e parë të Botërorit me Anglinë Rossi do të arrijë formën e duhur për të dhënë kontributin e tij në kombëtaren italiane.
Mbeten jashtë listës Diamanti dhe El Shaarawy, pavarësisht faktit se Faraoni u aktivizua në pjesën e dytë të ndeshjes Atalanta-Milan, 2-1.
Nuk arrin të bindë Prandellin për ta marrë në Brazil as Gilardino, ndërkohë që sikurse pritej, pjesë e listës paraprake është Antonio CasSano.
Më 2 Qershor lista përfundimtare e Prandellit do të reduktohet në 23 futbollistë, ndërsa 24 orë para startit të eventit tekniku italian do të ketë mundësi të zëvendësojë me emra të rinj lojtarët që mund të mbeten jashtë Botërorit për arsye dëmtimesh.