Interi i shitet biznesmenit indonezian
Torino, 20 shtator - Pas pesë muajsh bisedime intensive, ka marrë fund telenovela Thohir-Moratti. Palët njoftuan pasditen e së enjtes rënien dakort për shitblerjen e aksioneve dhe nga java e ardhshme, Interi do të jetë indonezian.
Moratti dhe miliarderi aziatik ranë dakort në takimin e zhvilluar në orët e paradites në Paris. Në njoftim thuhet se është rënë dakort për shitjen e një kuote aksionesh të klubit të Interit.
Në ditët e para të javës së ardhshme, pritet hedhja e firmës nga të dyja palët mbi marrëveshjen që u arrit në Paris dhe zbardhja e detajeve të saj mbi përqindjen që Moratti do t\'i dorëzojë Thohir.
Me këtë marrëveshje Moratti i jep fund presidencës 18-vjeçare tek Interi. Ai ka qenë aksioner mazhoritar tek zikaltërit që prej 18 shkurtit të vitit 1995 dhe gjatë presidencës së tij skuadra ka fituar 5 kampionate, 4 Kupa Italie, 3 Superkupa Italie, 1 Ligë Kampionesh, 1 Botëror për Klube dhe 1 Kupë UEFA.