Iniesta më i paguari pas Messit
Madrid, 20 dhjetor - Andres Iniesta do të bëhet lojtari më i paguar në Barcelonë pas Lionel Messit kur ai të hënën të nënshkruajë kontratën e re, e cila i jep fund interesit të Real Madridit për yllin spanjoll.
Presidenti i Barcelonës, Sandro Rosell ka bërë të ditur të enjten se Iniesta ka arritur marrëveshje për vazhdimin e kontratës deri në vitin 2018 dhe mesfushori do të paguhet rreth 14 milionë euro në vit, gati dyfish më shumë se tani.
Në atë kohë, heroi i finales së Kampionatit Botëror 2010 do të jetë 34-vjeçar ndërsa Rosell ka thënë se vazhdimi i kontratës në vitin 2018 do të varet nga ndeshjet që luan.
Mund të konfirmoj se Iniesta është pajtuar të nënshkruajë [kontratën], ka thënë Rosell. Asgjë nuk është nënshkruar por kemi një marrëveshje verbale, e cila ndoshta do të nënshkruhet të hënën.
Mesfushori, i cili debutoi në vitin 2002, ka luajtur 479 ndeshje për Blaugranat, duke shënuar 48 gola.