Hoxhaj takoi lojtarët dhe drejtuesit e kombëtareve të Turqisë dhe Kosovës
Prishtinë, 20 maj Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar të martën takime me lojtarët e ekipeve kombëtare të futbollit të Kosovës dhe të Turqisë, të cilët do të zhvillojnë të mërkurën ndeshje miqësore në stadiumin Adem Jashari në Mitrovicë.
Gjatë takimit me futbollistët e dy kombëtareve si dhe trajnerët e kryetarët e federatave të futbollit, ministri Enver Hoxhaj, e vlerësoi lartë rëndësinë që ka për ndërkombëtarizimin e sportit dhe veçanërisht futbollit kosovar, kjo ndeshje.
Hoxhaj përgëzoi federatat e dy vendeve për bashkëpunimin dhe organizimin e kësaj ndeshjeje historike në futboll, duke shprehur bindjen se dy vendet e do të thellojnë bashkëpunimin e mëtejshëm, në shumë fusha.
Gjatë takimit me lojtarët e ekipit kombëtar të Turqisë si dhe me kryetarin e Federatës Turke të Futbollit, Yildirim Demiroren dhe trajnerin Fatih Terim, shefi i diplomacisë kosovare i falënderoi për gatishmërinë dhe rëndësinë që i kanë kushtuar ndeshjes me Kosovën, duke kërkuar përkrahjen e mëtutjeshme të tyre për fuqizimin e futbollit kosovar.
Ndërkaq, gjatë takimit me lojtarët dhe trajnerin e përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaku, dhe udhëheqësit e FFK-së, Hoxhaj theksoi sërish angazhimin e fuqishëm të diplomacisë kosovare në ndërkombëtarizimin e sportit dhe futbollit të Kosovës.
Lojtarët dhe kryesuesit e federatave të Turqisë dhe të Kosovës, gjatë takimeve me ministrin Hoxhaj, kanë shprehur entuziazmin e tyre për ndeshjen e nesërme, si dhe angazhimin e mëtutjeshëm për bashkëpunim në drejtim të ndërkombëtarizimit të futbollit të Kosovës.