Hoxhaj: Prioritet ndërkombëtarizimi i futbollit kosovar
Prishtinë, 19 maj - Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar të hënën një takim me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri.
Ministri Hoxhaj ka vlerësuar kontributin e z. Vokrri për ndërkombëtarizimin e futbollit kosovar, dhe ka ofruar përkrahje të mëtutjeshme për arritjen e synimeve në këtë drejtim.
Hoxhaj tha se z. Vokrri që në vitet e 80, ka qenë ambasador i fuqishëm të idesë së shtetit të Kosovës, ndërsa ka çmuar punën shumë të madhe që ai po bën edhe në cilësinë e kryetarit të Federatë së Futbollit të Kosovës, në ndërkombëtarizimin e futbollit të Kosovës.
Konkretisht biseduam se çfarë mund të bëjë Ministria e Punëve të Jashtme gjatë ditëve, muajve dhe viteve të ardhshme me qëllim që sporti i Kosovës të anëtarësohet në shumë organizata evropiane dhe botërore, ka thënë ministri Enver Hoxhaj.
Ndërkaq, kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, ka falënderuar ministrin Hoxhaj për përkrahjen e vazhdueshme që ka dhënë, deri më tani.
Kemi pasur përkrahjen e MPJ-së gjatë gjithë këtij rrugëtimi dhe kemi arritur deri këtu. Kemi qenë vazhdimisht në kontakt dhe për të gjitha konsultat që janë bërë dhe të gjitha problemet që janë shfaqur gjatë këtij rrugëtimi, kemi pasur përkrahjen e plotë të ministrit dhe të stafit të tij, tha Vokrri, duke shtuar se falë punës së përbashkët të të gjithëve, është arritur deri këtu.