Gjysmëmaratona e Prishtinës, një prezantim i mirë për vendin
Prishtinë, 2 shkurt - Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Shala ka pritur sot në një takim të ngarkuarën me punë të Ambasadës së Finlandës në Kosovës, Anne Meskanen dhe Kryetarin e Federatës së Atletikës të Kosovës (FAK), Halil Sylejmani.
Në takim është diskutuar për organizimin dhe promovimin sa më të mirë të Gjysmëmaratonës Ndërkombëtare të Prishtinës (GjNP), e cila pritet të mbahet në muajin maj.
Gjysmëmaratona Ndërkombëtare e Prishtinës organizohet nga ana e FAK-së dhe tradicionalisht mbështetet prej MKRS-së.
Ministri Kujtim Shala e ka rikonfirmuar mbështetjen e MKRS-së në çdo drejtim për këtë ngjarje me karakter ndërkombëtar dhe njëkohësisht ka kërkuar që kjo ngjarje e rëndësishme sportive të organizohet në mënyrën sa më të mirë të mundshme dhe të ftohen sa më shumë të rinj vendorë dhe atletë të huaj, që përmes saj të jetë një prezantim sa më i mirë i vendit tonë dhe që të promovohet sa më shumë ky aktivitet tradicional.
Ndërkaq, e ngarkuara me punë e Ambasadës së Finlandës në Kosovë, Anne Meskanen, fillimisht uroi ministrin për marrjen e detyrës së re dhe u shprehu falënderimin e saj për bashkëpunimin dhe gatishmërinë e MKRS-së në përkrahje të Gjysmëmaratonës Ndërkombëtare të Prishtinës për një koordinim dhe organizim sa më të mirë të saj.