Futbollisti Kristian Gomez humbur jetën në fushë
Buenos Aires, 25 maj - Tronditet futbolli argjentinas. Mbrojtësi i Atletico Parana, Kristian Gomez, ka humbur jetën në fushë gjatë ndeshjes me Boca Unidos.
Pas vdekjes po në fushën e blertë të mbrojtësit Emanuel Ortega disa javë më parë, futbolli në Argjentinë është sërish në zi për vdekjen e Gomezit.
Kishin kaluar gati 30 minuta nga nisja e lojës dhe gjithçka po shkonte mirë kur 27-vjeçari bie papritur në tokë pa ndjenja.
Të zënë në panik, lojtarët hoqën fanellat dhe nisën të freskonin shokun e tyre deri sa u afruan mjekët për ti dhënë ndihmën e parë.
Bëmë gjithçka për ta mbajtur gjallë, por ai ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital për shkak të një ataku në zemër, tha mjeku i skuadrës.
Mjekët e klubit thanë se 27-vjeçari nuk kishte pasur asnjëherë probleme me shëndetin e për më tepër me zemrën.