Franck Ribery shpallet lojtari vitit në Gjermani
Munchen, 19 dhjetor - Mesfushori i Bayern Munichut, Franck Ribery është shpallur Lojtari i vitit për vitin 2013 në Bundesliga, fal performancës së tij në 12 muajt e fundit.
30-vjeçi u votua si më i miri nga 36 kapitenët e klubeve të dy ligave të futbollit gjerman.
Reprezentuesi francez, i cili është finalist për të fituar çmimin Topi i Artë, së bashku me Lionel Messin dhe Cristiano Ronaldon, i shton këtë titull çmimeve si Lojtari më i mirë i Champions League dhe Lojtari më i mirë në Evropë, të cilat i fitoi muaj më parë.
Ribery këtë çmim e mori para sulmuesit të Borussia Dormundit, Robert Lewandowski, i cili po vazhdon të lidhet me një kalim në klubin bavarez.
Francezi sezonin e kaluar e mbylli me 18 gola dhe 20 asistime në 44 paraqitje në të gjitha garat, duke fituar Champions Leaguen, Bundesligan, DFB-Pokal dhe UEFA Super Cup.
Me Bayernin që gjendet në finale të Botërorit të Klubeve, Ribery raftit të çmimeve mund t`ia shtojë edhe një kup nëse ekipi i Pep Guardiolas mposht Raja Casablancan.