FIFA prezanton topin e Brazil 2014
Paris, 4 dhjetor - Pak nga pak, Botërori Brazil 2014 po merr formë. Në pritje të hedhjes së shortit për fazën e grupeve, sponsori sportiv i evenimentit, Adidas, prezantoi topin zyrtar të botërorit. Kështu, trashëgiminë e Jabulanit e merr topi zyrtar i Brazilit i cili quhet Brazuca.
Ky është topi i parë që e merr emrin nga votimi i tifozëve edhe pse praktika e prezantimit zyrtar ka nisur që prej vitit të largët 1970.
Emri u publikua në datën 2 Shtator 2012 pas një votimi publik të organizuar nga Komiteti Organizator dhe kompania Adidas ku morën pjesë rreth 1 milionë brazilianë.
77.8 % e votuesve zgjodhën emrin Brazuca që në gjuhën braziliane përshkruan krenarinë braziliane të rrugës së jetës dhe pasqyron mënyrën e këtij populli për të mbështetur një sport si futbolli.
Përsa i përket anës teknike, Brazuca përbëhet nga 6 panele të ndryshme që nuk do të lejojnë lagështirën në brendësi.
Format janë dizenjuar në tonalitete të ndryshme ngjyrash ku përfshihen bluja, portokallia dhe e verdha të cilat simbolizojnë flamurin brazilian.
Sipas Adidas, ky top është gjithashtu më aerodinamik se paraardhësit e tij por kjo nuk do të thotë se mund të lëvizë më shpejt.
Kompania ka kryer rreth 600 teste, numri më i madh i zhvilluar deri tani nga Adidas, ndërsa në to ka marrë pjesë për më shumë se një orë edhe Lionel Messi. Adidas e ka nisur këtë traditë 43 vjet më parë, ndërsa me Brazucan synon të arkëtojë rreth 2.7 milionë Dollar në të gjithë botën.