FIFA nis edhe një procedurë disiplinore ndaj Serbisë
FIFA veproi një ditë pas ankesës së Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), e cila tha se gjatë ndeshjes së zhvilluar më 2 dhjetor, janë dëgjuar “fyerje të rënda nga trajneri i përfaqësueses së Serbisë” në drejtim të shqiptarëve dhe janë vërejtur “veprime raciste nga tifozët serbë”.
Në kombëtaren e Zvicrës luajnë disa futbollistë me prejardhje nga Kosova, përfshirë kapitenin Granit Xhaka.
Trajneri i kombëtares së Serbisë, Dragan Stojkoviç-Piksi, tha se “nuk ka koment” për procedurat disiplinore që ka nisur FIFA.
Ai u pyet për to nga gazetarët në Beograd, pasi u kthye nga Katari, ku edhe po zhvillohet Kampionati Botëror.
Sipas njoftimit të FIFA-s, procedurat e nisura kundër Federatës së Futbollit të Serbisë lidhen me disa shkelje të mundshme, si: sjellje e pahijshme e lojtarëve dhe zyrtarëve, diskriminim dhe shkelje e rendit dhe sigurisë gjatë ndeshjes.
Pas fitores së Zvicrës më 2 dhjetor, Serbia u skualifikua nga kampionati, ndërsa Zvicra vazhdon garën tutje.
Gjatë lojës u vunë re disa përplasje fizike dhe verbale, përfshirë sharje, midis lojtarëve serbë dhe kapitenit të Zvicrës, Granit Xhaka.
Përveç Xhakës, për Zvicrën luan edhe Xherdan Shaqiri me prejardhje nga Kosova, si dhe Ardon Jashari me prejardhje nga Maqedonia e Veriut.
Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut, me seli në Serbi, i bëri thirrje Federatës së Futbollit të Serbisë (FSS) që të dalë me një raport për, siç tha, incidentet gjatë Kupës së Botës.
“Mendoj se një njoftim zyrtar nga FSS-ja do të ishte minimumi, për t’u kërkuar falje të gjithëve që e ndoqën ndeshjen, por edhe për të dënuar sjelljen e lojtarëve, përzgjedhësve, përfaqësuesve të federatës… Por marrë parasysh se si janë sjellë në të kaluarën, nuk kam shpresë se do të veprojnë kështu”, tha për Radion Evropa e Lirë Marko Millosavleviç nga kjo iniciativë.
Gjykuar nga pamjet e ndeshjes Serbi-Zvicër, tha ai, “duket qartë se në disa raste është shprehur një lloj racizmi ndaj shqiptarëve”.
Sipas tij, një sjellje e tillë në lojë është “pasqyrë e një kulture të përhapur dhe të rrënjosur të poshtërimit”.
Sipas nenit 12 të Kodit Disiplinor të FIFA-s, lojtarët dhe zyrtarët mund të ndëshkohen me pezullim nga një ndeshje shkaku i sjelljes josportive, apo nga tri ndeshje për sulm fizik ndaj një lojtari apo personi tjetër.
Neni 13 thotë se kushdo që ofendon dinjitetin apo integritetin e një vendi, personi apo një grupi njerëzish përmes shprehjeve apo veprimeve diskriminuese ose nënçmuese, mund të ndëshkohet me “pezullim prej së paku dhjetë ndeshjeve ose për një periudhë specifike”.
Nëse tifozët kanë sjellje të tillë, federata përgjegjëse ndëshkohet me zhvillimin e një ndeshjeje me një numër të kufizuar të tifozëve dhe me gjobë prej së paku 20 mijë frangash.
Nëse një shkelje e tillë ka ndodhur edhe më parë, atëherë mund të merren vendime më të rënda – nga ulja e pikëve deri te përjashtimi prej garës së caktuar.
Sipas nenit 16 të Kodit Disiplinor të FIFA-s, federatat dhe klubet konsiderohen përgjegjëse për sjelljen e tifozëve të tyre.
Kur FIFA vendos të hapë një hetim, komisioni përkatës përcakton nëse ka pasur shkelje të Statutit të FIFA-s dhe të Kodit Disiplinor. Në rast shkeljeje, komisioni mund të shqiptojë gjoba. Afati i fundit për marrjen e një vendimi, në përgjithësi, nuk është i specifikuar.