Ferguson rrëfen ofertën e Chelsea
Manchester, 3 tetor - Pas 26 vjetësh në drejtimin e Manchester United, Sir Alex Ferguson rikthehet të flasë për një televizion amerikan, duke zbuluar një prapaskenë të karrierës së tij të gjatë si trajner.
Skocezi kujton se në vitin 2003, kur Roman Abramovich bleu Chelsea, ka patur një tentativë për ta shkëputur atë nga Djajtë e Kuq, por siç ka treguar koha, Ferguson e ka refuzuar.
Kjo ofertë mbërriti tek unë nëpërmjet një agjenti kur Abramovich u bë pronar i Chelseat, por iu përgjigja prerë se nuk kishte shanse që unë të largohesha nga United.
Tekniku legjendar nuk jep të tjera detaje, ndërkohë që intevista vazhdon rreth pasardhësit të tij. Manchester United nuk ka patur aspak një fillim të mirë sezoni dhe aktualisht ndodhet në vendin e 12 me 7 pikë nga 6 ndeshje, por 71-vjeçari Ferguson beson ende se Moyes do të jetë i suksesshëm në Old Trafford.
United ndodhet në duar të sigurta. David Moyes është një trajner i mirë dhe i zoti. Përsa më përket mua, nuk më intereson të drejtoj sërish një skuadër. Mund të vini bast për rikthimin tim, por do ti humbisni të gjitha paratë. E mora vendimin dhe besoj se ishte në kohën e duhur.
Ferguson duket se po e shijon jetën e re larg fushave të blerta dhe rrëfeu se ka në axhendë garën me kuaj Kentucky Derby, turneun e golfit US Masters, si dhe vizitat në vreshtat e Toskanës në Itali dhe në Francë.