11 Janar 2025

Federata e Karatesë bëhet me tetë arena luftarake

Prishtinë, 3 prill - Federata e Karatesë së Kosovës (FKK) është pajisur sot me tetë arena të karatesë – dyshekë ‘tatami’, të standardeve ndërkombëtare, që në total arrijnë një sipërfaqe prej 1152 m2, që për blerjen e tyre Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka ndarë rreth 30 mijë euro.

Ministri Memli Krasniqi, në mënyrë zyrtare ia dorëzoi këto arena FKK-së, në një ceremoni në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Këto arena për zhvillimin e luftërave në karate u konsideruan me vend pasi është në prag Kampionati Botëror i Karatesë në stilin Shotokan, që do të mbahet në Prishtinë, nga 4-6 prill.

Ministri Krasniqi vlerësoi se pajisjet e blera janë në kuadër të mbështetjes dhe krijimit të kushteve sa më të mira për Federatën e Karatesë, dhe janë në shërbim të karateistëve për punë dhe stërvitje në mënyrë që ata të dëshmojnë cilësitë e tyre edhe në arenën ndërkombëtare

“Vendi ynë ka një traditë të gjatë në karate, duke rezultuar edhe me kampionë evropianë e botërorë, dhe pa dyshim që do të ketë kampionë e kampione edhe në të ardhmen”, tha ministri, duke e uruar kryetarin e Federatës së Karatesë, Fadil Arifi, për punën e deritashme që kanë bërë, dhe premtoi se MKRS-ja edhe në të ardhmen do të jetë mbështetësi kryesor në të gjitha objektivat e tyre.

Ndërkaq, kryetari i FKK-së, Fadil Arifi, falënderoi ministrin për përkrahje dhe e vlerësoi këtë si ditë të veçantë, ngase për herë të parë në historinë e karatesë të Kosovës po pajisen me këso lloj arena të cilësive më të larta.

“MKRS-ja në mënyrë permanente e ka mbështetur Federatën e Karatesë së Kosovës, sidomos në ndërkombëtarizim, mirëpo kësaj radhe me blerjen e këtyre dyshekëve do të ndikojë drejtpërsëdrejti që edhe ne në Kosovë të mbajmë aktivitete sipas kritereve të Federatës Botërore të Karatesë”, tha kryetari Arifi.

Po ashtu, kryetari Arifi, foli edhe për organizimin dhe përgatitjet që janë bërë për Kampionatin Botëror, dhe konsideroi se është një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për karatenë por edhe për vendin tonë.

Ndërkaq, ministri tha se ne jemi partnerë të të gjitha federatave dhe MKRS-ja në këto tri vite e ka vendosur si prioritet qendror investimin e përgjithshëm në sport, rritjen e subvencioneve të drejtpërdrejta për federatat, për përmirësimin e infrastrukturës dhe pajisjeve të nevojshme për zhvillimin e sporteve, ku edhe ky investim që është në kuadër të politikave zhvillimore të ministrisë, dhe premtoi se përkrahja do të jetë edhe në të ardhmen dhe gjithmonë në rritje. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)