Europa do që Botërori i Katarit të luhet në maj
Gjenevë, 18 dhjetor - Futbolli europian do ti propozojë FIFA-s që Kupa e Botës Katar 2022″ të zhvillohet në muajin maj, për të shmangur temperaturat e larta të verës, që do të ndikonin negativisht në shëndetin e lojtarëve dhe të tifozëve.
Shoqata e klubeve europiane dhe shoqata e ligave profesioniste europiane kanë studiuar të gjitha alternativat për të shmangur zhvillimin e Botërorit në dimër, sikurse është edhe dëshira e FIFA-s.
Ato propozojnë që Kupa e Botës e vitit 2022 të zhvillohet gjatë periudhës 4 maj-4 qershor, që do të thotë se në qershor do të luhen vetëm finalja dhe sfida për vendin e tretë.
Opsioni i dytë është që të luhet ndërmjet qershorit dhe korrikut, megjithatë klubet dhe ligat profesioniste europiane do të insistojnë me argumentet e tyre që Botërori të luhet në maj.
Synimi është që të mos prishet kalendari logjik i kampionateve kombëtare, duke evituar zhvillimin e Botërorit në dimër.