10 Janar 2025

Dëmet nga zjarri në stadiumin “Riza Lushta” janë të mëdha

Prishtinë, 5 janar - Në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve të Komunës së Mitrovicës, që u mbajt të hënën, kryesuar nga nënkryetari i Komunës, Safet Kamberi, u diskutua për situatën aktuale në rrugët e Mitrovicës dhe zjarrin që kaploi dy ditë më parë stadiumin “Riza Lushta”.

Në takim u tha se pas përmirësimit të situatës në terren, si rezultat i punës së madhe të kompanive kontraktuese nga Komuna e Mitrovicës, për mirëmbajtjen e rrugëve, ka pushuar së funksionuari Shtabi Emergjent.

Drejtori i Drejtorisë për Infrastrukturë dhe Shërbime Publike, Blerim Baruti, tha se Shtabi Emergjent, i krijuar një javë më parë, për të përcjell situatën e krijuar nga të reshurat e  mëdha të borës, ka qenë funksional deri ditën e shtunë. “Gjatë javës që lamë pas, krahas punëve të tjera, jemi mobilizuar për mirëmbajtjen e rrugëve, të cilat nga të reshurat e borës nuk ishin në gjendje të mirë. Shtabi Emergjent u takua për çdo ditë dhe përcaktoi masat dhe aktivitetet për të mbajtur rrugët në gjendje të kalueshme dhe falë këtij angazhimi gjendja nëpër rrugët e komunës ishte nën kontroll të plotë”, tha Baruti.

Ai shtoj se përveç në rrugët e Mitrovicës, kompanitë e kontraktuara nga Komuna e Mitrovicës kanë intervenuar edhe në veri të qytetit dhe në tri komunat veriore, si në Kroin e Vitakut e Suhadoll në veri të qytetit, pastaj në tri fshatrat e banuara me shqiptarë në Komunën e Zveçanit, si dhe në tri fshatrat e banuara me shqiptarë në Komunën e Albanikut.

Edhe drejtori i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, Musa Dragaj, kritikoj kompaninë e kontraktuar nga Ministria e Infrastrukturës, në përgjegjësi të së cilës ishte rruga rajonale Mitrovicë-Podujevë, që e përshkon tërë rajonin e Shalës së Bajgorës, për moskryerje të punëve.

Drejtori i financave, Nysret Maxhera, duke vlerësuar se intervenimet e Komunës së Mitrovicës në tri komunat tjera veriore, për zhbllokimin e rrugëve nga bora të rrugëve të atjeshme, nëpër të cilat kryesisht lëvizin shqiptarët, ka implikime buxhetore. Ai kërkoj nga drejtorët kompetentë që të bëhet një parallogari dhe tu adresohet komunave të përmendur më lartë dhe Ministrisë së infrastrukturës, në mënyrë që ata së paku të paguajnë shpenzimet që u takojnë.

Ndërkaq, drejtori i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport, Kujtim Isa, në takimin  e drejtorëve foli për rastin e zjarrvënies në stadiumin “Riza Lushta”.

“Nga zjarri që shpërtheu të shtunën në stadiumin “Riza Lushta”, është djegur pjesa më e madhe e tribunës, duke përfshirë këtu edhe çatinë. Hetimet e para të policisë tregojnë se ka pas probleme me rrymë ditëve të fundit. Mirëpo, nga të tjerët ka edhe paragjykime për mundësinë e përdorimit të pjesëve të drurit për të ndezur zjarr nga disa të rinj që rrinë aty për qëllime të ndryshme”, nënvizoi Isa.

Sipas tij ende nuk dihet vlera e saktë e dëmeve të shkaktuara, kështu që janë në pritje të përfundimit të hetimeve nga ana e policisë dhe ekspertëve kompetentë për shkaktarin e zjarrit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)