Cristiano Ronaldo, futbollisti më i paguar në histori
Madrid, 16 shtator - Cristiano Ronaldo firmosi të dielën kontratën e re me Real Madrid, kontratë që e lidh me klubin madrilen deri në vitin 2018 dhe që në të njëjtën kohë e shndërron portugezin në futbollistin më të paguar në historinë e futbollit.
Sipas AS, sulmuesi do të ketë një pagë prej 21 milionë eurosh në sezon, më shumë se kushdo tjetër.
Ndërsa Realit kjo kontratë do i kushtojë 40 milionë euro në sezon pasi duhet të paguajë taksa 52% të kësaj shume.
Ndërsa gazeta tjetër pranë klubit kryeqytetas, 'Marca', publikon se rroga e Cristiano është 17 milionë euro.
Me kontratën e re, Cristiano Ronaldo fiton më shumë se Messi, i cili merr tek Barcelona vetëm 13 milionë euro.
Etoo ishte futbollisti më i paguar deri më sot pasi me kontratën që kishte tek Anzhi, para se të transferohej tek Chelsea, fitonte 20 milionë euro në sezon.
Vendi i tretë në këtë renditje mbahet nga Zlatan Ibrahimovic, i cili tek PSG fiton 14.5 milionë euro.