Courtois: Do shkoj te Real Madrid
Madrid, 10 mars - Thibaut Courtois te Real Madrid duket më shumë një fakt i kryer sesa një llogari e zakonshme merkatoje.
Portieri belg, sipas mediave spanjolle, raportohet ti ketë thënë shefit ekzekutiv të Atletico Madrid, Miguel Angel Gil Marin se ka arritur një akord verbal me \"Los Blancos\" për tu transferuar në anën tjetër të kryeqytetit kur kontrata e tij të skadojë me Chelsea-n, në qershor 2016.
Deri këtu nuk ka asgjë për tu habitur, po ti referohemi edhe gazetës \"AS\" që pak kohë më parë shkruante se Reali jo vetëm që ka interes për të siguruar shërbimet e Courtois, por madje synon ta ketë në dispozicion që prej sezonit të ardhshëm pasi gojarisht ka marrë \"OK\"-in e tij për këtë transferim shumë të rëndësishëm.
Në të njëjtën kohë, \"Los Colchoneros\" janë hedhur në sulm për të blerë gardianin e talentuar, por oferta që i është paraqitur Chelsea-t është refuzuar me klubin londinez që pretendon rikthimin e tij në Angli në përfundim të këtij sezoni.
Në këto kushte Reali po i ushtron presion \"Bluve\" të Londrës që të arrihet akordi për shitjen e tij, në të kundërt Chelsea rrezikon që ta humbasë belgun pa arkëtuar asnjë qindarkë kur ti përfundojë kontrata.
Nëse Real Madrid do t\'ia dalë të marrë Thibaut Courtois, dilema të mëdha i presin drejtuesit \"Los Blancos\", të cilët duhet të vendosin për largimin e Iker Casillas ose të Diego Lopez në qershor.
Courtois, i huazuar nga Atletico që prej 2011-ës për tu bërë shumë shpejt një prej portierëve më të mirë në botë, ndërkohë është shprehur i gatshëm që akordin verbal me Los Blancos ta shndërrojë në marrëveshje të hedhur në letër.