Cana, mes 100 futbollistëve më të mirë në Francë
Paris, 5 gusht - Lorik Cana është ndër 100 futbollistët më të mirë të shekullit të 21-të në Francë, sipas një liste të publikuar nga edicioni francez i Eurosport-it.
Renditja është hartuar në bazë të votave të tifozëve, ku kapiteni i Kombëtares shqiptare pozicionohet i 81-ti.
Siguroi paqe mes PSG-së dhe Marsejës; kjo nuk është pak. Ky është rasti i Lorik Canës. E nisi karrierën me PSG-në dhe u bë kapiten i Marsejës. Kjo është diçka e rrallë dhe Cana është një prej tyre, shkruan Eurosport.fr.
Ueb-faqja prestigjoze vlerëson maksimalisht shpirtin e garës për të cilin 32-vjeçari spikat në fushë: Është në gjendje të lërë jetën në fushë. Fatkeqësisht, nuk e shijoi titullin kampion në Francë, edhe pse i shkoi tri herë pranë. Është mëkat që emri i tij nuk figuron mes kampionëve të Ligës 1. Goli i Canës në Velodrom në fitoren 1-0 kundër PSG-së, pas tri vjetësh si rival i parizienëve, nuk do të harrohet kurrë.