Blatter: Nuk kam dhënë dorëheqje
Gjenevë, 26 qershor - Sepp Blatter ka thënë se nuk ka dhënë dorëheqje si president i FIFA-s, edhe pse më 2 qershor ka thënë se largohet nga posti i udhëheqësit të Federatës Botërore të Futbollit.
Nuk kam dhënë dorëheqje. Veten time dhe zyrën time e kam lënë në duart e Kongresit të FIFA-s, ka thënë Blatter në një muze të FIFA-s, citon gazeta zvicerane Blick.
Dy hetime penale për korrupsion të dyshuar brenda FIFA-s kanë nisur në javën që Blatter është zgjedhur për mandatin e pestë.
Katër ditë pas zgjedhjes, Blatter ka thënë se jep dorëheqje, porse do të ushtrojë detyrat e presidentit deri në zgjedhjen e re.
Kongresi i posaçëm i FIFA-s për zgjedhjen e presidentit nuk do të mbahet para muajit dhjetor.