Blatter mendon rikandidimin për presidencën e FIFA-s
Paris, 7 shkurt - Joseph Blatter mund të thyejë për çështje muajsh rekordin e Joao Havelange. Për arsye të vjetërsisë e kuptueshme nuk bëhet fjalë për ndonjë rekord të çfarëdoshëm sportiv, por për njeriun që kërkon të qeverisë botën e futbollit sërish, edhe për katër vjet të tjerë.
Presidenti i famshëm brazilian i FIFA-s drejtoi futbollin për plot 24 vjet radhazi deri në moshën 82-vjeçare, megjithatë zemra e presidentit aktual Joseph Blatter mesa duket nuk njeh moshë dhe 77-vjeçari zviceran nëse rizgjidhet përsëri mund të bëhet presidenti më i vjetër në moshë që drejton organizmin më të lartë të këtij sporti.
Zvicerani nga sa kuptohet është hedhur menjëherë në sulm për mandatin e tij të pestë rresht, pas daljes hapur dhe nisjes së fushatës nga ish-bashkëpunëtori i tij i ngushtë, Jerome Champagne.
Për momentin 55-vjeçari francez përbën kandidaturën e vetme për këtë post dhe për shkak të karrierës së deritanishme parizieni është një sfidant shumë i fortë për tu bërë presidenti i nëntë në historinë e FIFA-s, madje ai ka hartuar edhe një program të qartë me 11 propozime konkrete për reformimin e qeverisë së futbollit.
Ndërkaq Blatter i ka kërkuar drejtuesve të KON-it, Komitetit Olimpik Ndërkombëtar që janë mbledhur pikërisht në Sochi, për të hequr limitin e moshës 80-vjeç për anëtarët e kryesisë së KON-it, organizmit ku ai në fakt bën pjesë automatikisht si president i FIFA-s. Zgjedhjet e ardhshme të FIFA-s do të mbahen në Maj të vitit 2015, në Zyrih.