Blatter hetohet nga prokuroria e SHBA-ve
Zyrih, 3 qershor - Presidenti i dorëhequr i FIFA-s, Sepp Blatter po hetohet nga zyrtar të SHBA-ve si pjesë e hetimeve për korrupsion në organizatën botërore të futbollit.
Lajmi vjen pak orë pasi Blatter bëri të ditur publikisht vendimin për tu dorëhequr nga posti që mban.
Prokurorët amerikanë nisën një hetim javën e kaluar, ku u arrestuan shtatë zyrtarë të FIFA-s në Zvicër, që ishin pjesë e grupit prej 14 pjesëtarësh të përfshirë në këtë çështje deri tani.
Blatter u rizgjodh president i FIFA-s dy ditë pas këtyre arrestimeve, ndërsa të martën ai doli në një deklaratë për mediet ku tha se dorëhiqet për shkak se nuk ka mbështetjen e të gjithëve.
Zyrtarët amerikanë, të cituar nga New York Times thonë se shpresojnë që të gjejnë bashkëpunim nga disa figura të FIFA-s për të hapur një çështje kundër Blatter për mashtrim dhe pastrim parash.
Kjo është hera e parë që amerikanët hetojnë FIFA-n, që është prekur nga kriza më serioze në historinë e futbollit.