Biznesmeni kosovar blen klubin italian
Triesta, 10 mars - Ish-presidenti i Hajvalisë dhe biznesmeni i njohur në Zvicër, Hamdi Mehmeti dhe partneri i tij, Pierre Mbock, janë pronarët e rinj të skuadrës italiane \"Union Triestina 2012\".
Lajmi është bërë i ditur nga klubi, por edhe nga vetë biznesmeni. Hamdi Mehmeti dhe Pierre Mbock janë prezantuar në stadiumin Nereo Rocho gjatë ndeshjes së kampionatit ndaj Fenadoras.
Me qëllim të plotësimit të proçedurave burokratike të marrëveshjes dhe hyrjen në fuqi të pronarit të ri duhen 7 deri 10 ditë, pas kësaj kohe të lajmërohen planet e ardhmërisë së klubit. Kjo thuhet në komunikatën e klubit të Triestinas, shkruan Sport Ekspres.
Por cili është klubi i Triestinës? Klubi është formuar më 1918, ndërsa për arsye financiare është rithemeluar më 1994 dhe më 2012 me emrin e tanishëm, Unione Triestina.
Klubi ka stadiumin në kapacitet prej 32 mijë vendësh dhe aktualisht garon në Serie D, apo Kategorinë e Pestë të futbollit italian.
Klubi ka pak histori në Serie A (një apo dy vite), ndërsa në Serie B ka një jetëgjatësi më të madhe, së fundi në këtë nivel ishte në 2011-n.