Berisha zyrtarisht lojtar i Lacios
Lacio, 2 shtator - Etrit Berisha, prej së dielës, është zyrtarisht futbollist i Lacios në Seria A. Lajmi është konfirmuar nga menaxheri i portierit, Elver Raça, por edhe nga mediat italiane.
Të dielën në mbrëmje nënshkruam me Etritin kontratën me Lacion, tani çdo gjë është zyrtare, ka thënë për sporti1.com menaxheri i FIFA-s, Raça. Kemi nënshkruar kontratë pesëvjeçare, ndërsa për kushtet financiare të gjithë janë të kënaqur.
Merret vesh se për kartonin e tij te Kalmar, drejtuesit e Lacios kanë paguar gjysmë milioni euro. 23-vjeçari, që mbron portën e kombëtares kuqezi, në vitin 2008 ka kaluar te Kalmari nga 2 Korriku i Prishtinës, ndërsa për pesë vite ka shënuar përparim të konsiderueshëm te skuadra suedeze, duke u përzgjedhur portieri më i mirë i kampionatit atje.
Falë këtij përparimi profesional u përfshi edhe në kombëtaren kuqezi. Kalimi i Berishës te Lacio ishte kushtëzuar me marrjen e pasaportës suedeze, që ai të mos konsiderohej esktrakomunitar.
Kjo ka ndodhur dje, para se ai të nisej për Romë. Te Lacio, Berisha do të gjejë kapitenin e kombëtares, Lorik Cana, dhe portierin e tretë të kësaj skuadra, Thoma Strakosha.
Pa llogaritur këtu drejtorin sportiv, Igli Tare. Prezantimi zyrtar i Berishës te Lacio do të bëhet më 11 ose 12 shtator, pas dy ndeshjeve kualifikuese ndaj Sllovenisë dhe Islandës.