Bayern konfirmoi shitjen e Toni Kroos
Munchen, 15 korrik - Bayern Munchen konfirmoi shitjen e mesfushorit Toni Kroos për arsye ekonomike, por nuk zyrtarizoi klubin tek i cili do të luajë sezonin e ardhshëm futbollisti i kombëtares gjermane i cili u shpall kampion bote përpara disa ditësh.
Mediat gjermane dhe spanjolle kanë publikuar se Kroosi do të luajë për Real Madrid sezonin e ardhshëm dhe pritet vetëm konfirmimi nga të dyja klubet.
Presidenti i Bayern Munchen, Karl-Heinz Rummenigge, shpjegoi: Nuk donim që sezonin e ardhshëm të na largohej pa para. Duhet të mendojmë për financat e klubit dhe nuk mund të lejonim që të mos fitonim asgjë nga largimi i tij.
Mediat spanjolle bëjnë të ditur se 24-vjeçari do të prezantohet këtë javë si lojtari i ri i madrilenëve, ndërsa Bayern Munchen do të përfitojë nga shitja e Kroosit rreth 25 milionë euro.