Ancelotti rikthen Casillas-in në La Liga
Madrid, 4 maj - Ancelotti rikthen Casillas-in në La Liga Trajneri i Real Madrid, Carlo Ancelotti, ka njoftuar aktivizimin e kapitenit Iker Casillas në La Liga, për herë të parë këtë sezon, në dy ndeshjet e radhës kundër Valladolid dhe Espanyol, për ta pasur atë në gjendje sa më të përgatitur përpara finales së Champions League.
Ancelotti mori një vendim të pazakontë në fillim të sezonit, duke përcaktuar Diego Lopez-in si portierin titullar të Real-it në kampionat, ndërkohë që Casillas do të mbronte portën në ndeshjet e Kupës së Mbretit dhe në Champions League.
Gjithsesi, duke qenë se distanca mes fitores së thellë 4-0 të madrilenëve ndaj Bayern Munchen, që i siguroi Los Blancos-ve kalimin për herë të parë në finalen e Champions-it pas 12 vitesh, dhe ndeshjes finale që do të zhvillohet ndaj rivalëve të Atletico Madrid më 24 Maj në Lisbonë është disi e gjatë, Ancelotti ka vendosur të kthejë pas vendimin e tij, pasi Casillas e ka të domosdoshme të aktivizohet për të ruajtur ritmin.
Italiani konfirmoi gjithashtu se Lopez do të luajë ndaj Valencia-s dhe ndaj Celta Vigo-s. Kam folur me ta dhe janë të dy dakord me vendimin tim. E mora këtë, pasi Casillas e ka të nevojshme aktivizimin. Nuk mendoj se është e drejtë ta lëmë pushim atë për 1 muaj, në një moment që do të na duhet të përgatitemi për finalen, tha Ancelotti.