Ancelotti refuzon ofertën e United
Madrid, 6 maj - Carlo Ancelotti ka refuzuar një ofertë të majme nga Manchester United, pasi këta të fundit i kanë ofruar italianit 18 milionë euro në sezon, një shumë që do ta bënte atë trajnerin më të paguar në botë.
Pas shkarkimit të David Moyes nga detyra, drejtuesit e Manchester United ia kishin vënë syrin trajnerit të Real Madridit, Carlo Ancelotti. Ekipi nga Old Trafford kishte përgatitur ofertën e majme për ta bindur atë, siç shkruan elconfidencial.com.
Me këtë shumë, ish-trajneri i Milanit, Chelseas dhe PSG-së do të bëhej trajneri më i paguar në botë dhe pas tij do të vinte Pep Guardiola i Bayern Munich, i cili merr 17 milionë euro në sezon.
Pavarësisht superofertës, Ancelotti ka qenë i qartë dhe u ka thënë jo drejtuesve të Manchesterit, pasi ndihet i lumtur te Real Madrid-i, ku e ka fituar Copa del Ray-n, është në finale të Ligës së Kampionëve dhe në garë për titullin në La Liga.