Adil Rami te Milan
Milano, 17 tetor - Tashmë është zyrtar transferimi nga Valencia, Adil Rami mund të quhet që tani lojtar i Milanit.
Përmes një komunikate, klubi spanjoll konfirmoi se është arritur plotësisht marrëveshja me kuqezinjtë për kalimin e Rami në Milanello, pasi mbrojtësi kaloi pak ditë më parë kontrollin mjekësor në Itali.
Lojtarit francez i është dhënë \"OK\"-i nga Valencia për tu stërvitur me ekipin e ri deri në Janar kur hapet merkatoja e dimrit.
Sipas kontratës, Adil Rami bashkohet me Milanin në formë huazimi fillimisht, ndonëse Valencia sqaroi se në akordin mes palëve ekziston edhe opsioni i blerjes së 27-vjeçarit.
Futbollisti ka luajtur titullar këtë sezon në disa ndeshje si qendërmbrojtës, por nuk është aktivizuar më pas gjatë kohës kur Valencia dhe Milani negocionin për transferimin e tij.
Rami konsiderohet një përforcim mjaft i rëndësishëm për kuqezinjtë e Allegrit pas një starti jo shumë pozitiv në Serinë A, ndërkohë që dyshja e repartit të mbrojtjes, Philippe Mexes dhe Cristian Zapata nuk e kanë bindur mjaftueshëm teknikun toskan.