VV: Përleshja për tenderë prioriteti i Qeverisë për Shëndetësinë
Prishtinë, 18 janar - Komiteti për Shëndetësi Lëvizja Vetëvendosje ka vlerësuar se këto javë kemi marrë informata nga Shërbimi Spitalor i Kosovës, të cilat tashmë janë dhe publike se në një masë të madhe po mungon furnizimi me medikamente për pacientët.
Kjo situatë sipas Vetëvendosjes është pasojë direkte e anarkisë institucionale që Isa Mustafa po e quan funksionim i koalicionit PDK-LDK-Lista Serbe.
\"Siç dihet në opinionin e punëtorëve shëndetësore por edhe më gjerë konfliktet për pushtet e buxhet brenda qeverisë ndërmjet eksponentëve të PDK-LDK-së e kanë sjelle këtë situatë.\"
\"LDK (Ministri i Shëndetësisë dhe i Financave) edhe përkundër ligjit ia kanë marrë menaxhimin e buxhetit Shërbimit Spitalor. PDK meqë e kontrollon direkt këtë Shërbim po kërkon shkarkimin e Ministrit të Shëndetësisë\", thekson Vetëvendosje.
Ndërkohë që mungesa e medikamenteve që janë të domosdoshëm për të shpëtuar jetën e pacienteve te sëmurë nga leukemia sipas VV është dëshmi e prioritetit të shëndetësisë në këtë lloj të qeverisjes Mustafa-Thaçi.
\"Për të qenë edhe më keq mungon informacioni për stafin mjekësor dhe drejtoreshën që udhëheq klinikën e hematologjisë e të mos flasim për pacientët dhe familjarët e tyre.\"
\"Arsyet e mungesës së citostatikëve për pacientët dhe anulimi i tenderit të fundit nga OSHP për furnizim me këto medikamente flasin për sistemin e vjetër dhe të kalbur të funksionimit të shërbimeve të prokurimit dhe hajnive që ndodhin në këtë sistem varësisht nga nivelet.\"
\"Lufta në mes të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor, Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) për marrjen e kontrollit të buxhetit për barna dhe material harxhues do të thellojë edhe më tepër mungesat dhe furnizimin për këtë vit. Marrja e buxhetit për barna nga SHSKUK dhe bartja ne menaxhim të Ministrisë së Shëndetësisë është shkelje ligjore dhe bëhet për të vetmin qëllim e që janë kontroll mbi nga tenderët\", thekson me tutje VV.
Edhe në klinikën e nefrologjisë tash e një muaj po mungon preparati Recormon që blihet nga vetë pacientet me insuficiencë të veshkave. Ndërsa në Klinikën e Radiologjisë mungon kontrasti për çka të gjithë pacientët detyrohen ta blejnë vet atë ndërkohë që100 ml kontrast të nevojshëm për një CT kushtojnë 23-25 euro.
Kjo përleshje Ministri-SHSKUK po rrezikon dhe specializantët. Ata tani janë duke u kërcënuar se nuk do t\'ju paguhen kujdestaritë
Në situatën e krijuar ku pacientet e sëmurë nga leukemia mbesin pa citostatikë për shkak të shkeljeve të supozuara në QKUK apo OSHP, policia për krime ekonomike dhe prokuroria e shtetit duhet të kishin filluar tashmë hetimet. Në këtë pikë duhet të identifikohen sa më parë personat në këtë sistem të korruptuar dhe të përgjigjen para ligjit pa vonesa.
Drejtori i SHSKUK, si përgjegjës kryesor i kësaj njësie buxhetore, duhet te deklarohet publikisht për vonesat në procedura dhe të japë përgjegjësi për zvarritjen e tenderimit për citostatikë. Transparenca dhe informimi i opinionit është obligim ligjor.