Vihet gurthemeli i Spitalit Pediatrik-Kirurgjik në QKUK
Prishtinë, 21 mars - Presidentja e Republikës së Kosovës, tifete Jahjaga dhe zonja Maitha Al Shamsi, ministre e shtetit e Emirateve të Bashkuara Arabe, kan vënë gurthemelin e Spitalit Pediatrik-Kirurgjik, në hapësirat e QKUK-së.
Presidentja Atifete Jahjaga në vënien e gurthemelit të Spitalit Pediatrik-Kirurgjik, donacion i Emirateve të Bashkuara, ka deklaruar se një nga vendet mike që ka dhënë kontribut shumë të çmuar për qytetarët e Kosovës në fushën e shëndetësisë janë Emiratet e Bashkuara Arabe,
Fjala e Presidentes Jahjaga në vënien e gurthemelit të Spitalit Pediatrik-Kirurgjik, donacion i Emirateve të Bashkuara
E nderuara Ministre e Shtetit, Dr.Maitha Salem Al-Shamsi,
E dërguara posaçme e Madhërisë së saj, Sheikha Fatima Bint Mubarak,
E nderuara Ambasadore Hafsa Al Ulama,
E nderuara Dr. Maha Barakat, drejtoreshë e autoritetit të shëndetësisë të Abu Dhabit,
I nderuar ministër Rrahmani,
I nderuar ministër Agani,
Të Nderuar, Profesor, Doktor, Infermier dhe infermiere,
Të nderuara zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të pranishëm,
Sot është një ditë shumë e rëndësishme për shëndetësinë e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti për shëndetin e fëmijëve. Sot shënojmë një kthesë në shërbimet që ju ofrojmë atyre për tju garantuar një jetë të shëndetshme dhe pa dyshim një të ardhme më të ndritur.
Të gjithë ne krenohemi me faktin se Kosova e ka popullatën më të re në Evropë , por për fat të keq Kosova ka ende shkallë të lartë të vdekshmërisë së foshnjave dhe fëmijëve.
Shumë shpesh dëgjojmë lajme të hidhura për fëmijë e të rinj të prekur nga sëmundje të ndryshme të rënda që nuk kemi mundësi ti trajtojmë në vend. Kemi fondin për shërim jashtë shtetit por fatkeqësisht nuk është i mjaftueshëm dhe nuk i mbulon të gjitha nevojat dhe kërkesat e qytetarëve të Kosovës.
Duke e parë këtë situatë dhe pamundësinë që me buxhetin tonë të kufizuar të ndërtojmë kapacitetet dhe infrastrukturën e nevojshme për ofrimin e shërbimeve shëndetësore, pas vizitave të shumta nëpër klinikat e QKUK-së, e kisha shumë të qartë se patjetër duhet të kërkojmë ndihmën e miqve tanë, partnerëve dhe aleatëve që na u gjenden gjithmonë pranë në kohërat tona më të vështira.
Një nga vendet mike që ka dhënë kontribut shumë të çmuar për qytetarët e Kosovës në fushën e shëndetësisë janë Emiratet e Bashkuara Arabe, prandaj pa hezitim jo vetëm në cilësinë e Presidentes së Republikës së Kosovës, por si një grua-gruas e kërkova ndihmën e Sheika Fatima bint Mubarak, Mbretëreshës së Emirateve të Bashkuara Arabe, për të ndërtuar një spital për fëmijët në Kosovë. Këtë spital që sot bashkërisht po hedhim gurthemelin, që simbolizon miqësinë e fuqishme n mes shteteve tona dhe popujve tanë.
Mbretëresha Sheika Fatima, si një humaniste e madhe e cila i ka kushtuar një vëmendje të veçantë mirëqenies së fëmijëve dhe nënave jo vetëm në vendin e saj, por edhe përtej, pa hezitim shprehu gatishmërinë e saj për të mbështetur kërkesën time, për tju ofruar fëmijëve të Kosovës mundësi për qasje në shërbime shëndetësore të specializuara.
Pas një sërë takimesh të ekspertëve dhe vizitave të shumta, më 27 prill të vitit të kaluar, gjatë një vizite që kam realizuar në Abu Dhabi, nënshkrova marrëveshjen ndërshtetërore për ndërtimin e Spitalit për shërbime gjithëpërfshirëse Pediatrike dhe Kirurgjike, këtu në QKU në Prishtinë.
Duke e bërë Kosovën me spitalin më të avancuar pediatrik dhe kirurgjisë pediatrike në rajon.
Kjo patjetër që shënon një ndër marrëveshjet më të rëndësishme të nënshkruara, pasi shënon dhe donacionin më të madh në sektorin e shëndetësisë, duke garantuar që gjeneratës së re, të ardhmes tonë - fëmijëve tanë, tju ofrohen mundësitë për një jetë më të mirë. Por, mbi të gjitha, të shpëtojmë jetë.
Në hartimin e projektit të këtij spitali janë përfshirë ekipe të ekspertëve pjesë e Komitetit drejtues nga Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nga Republika e Kosovës dhe realizimi i këtij projekti, i cili pritet të përfundojë deri në vitin 2018, do të menaxhohet nga autoriteti shëndetësor i Abu Dhabit, nën mbikëqyrjen e kompanisë gjermane ICME.
Sot jam shumë e lumtur që donacioni prej 22 milionë euro do të përdoret për ndërtimin e objektit të këtij spitali, për pajisjen me shtretër dhe me të gjitha mjetet e tjera të nevojshme, përfshirë këtu edhe aparaturën më të avancuar teknologjike shëndetësore, e cila do të ndihmojë në diagnostikimin sa më të hershëm të sëmundjeve dhe shërimin sa më efikas të tyre.
Ky spital që do të përfshijë midis të tjerash kirurgjinë e fëmijëve, onkologjinë dhe neonatologjinë, do të jetë spitali më modern jo vetëm në Kosovë por edhe në rajon, me pajisjet më të avancuara teknologjike në rajon dhe me stafin më të përkushtuar dhe më të përgatitur profesional.
Me ndërtimin e këtij spitali në këtë hapësirë, shumë afër klinikës së Gjinekologjisë dhe asaj të Pediatrisë, synojmë që të gjitha shërbimet pediatrike, që kanë të bëjnë me shëndetin e fëmijëve, prej çastit të lindjes, ti ofrojmë në një vend, me shumë profesionalizëm, kujdes dhe dashuri.
Vënia e gurthemelit të këtij Spitalit për shërbime gjithëpërfshirëse Pediatrike dhe Kirurgjike, shënon një hap shumë të rëndësishëm në thellimin dhe fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit dhe të miqësisë midis Republikës së Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, midis institucioneve dhe midis popujve të të dyja vendeve.
Sot kur në Emiratet e Bashkuara Arabe shënohet Dita Ndërkombëtare e nënës, ne po vëmë gurthemelin e këtij spitali, që është dhuratë për fëmijët e nënat e Kosovës nga Mbretëresha e këtij vendi, Sheika Fatima bint Mubarak.
Nuk ka simbolikë më të mirë për të shënuar këtë ditë dhe jam thellësisht e bindur se nuk do të ketë falënderim më të përzemërt për Sheiken Fatima se sa të shohë se në këtë spital, fëmijëve të Kosovës do tju ofrohet kujdesi dhe shërbimet më të mira profesionale për jetë më të shëndetshme dhe të lumtur.
Institucionet dhe qytetarët e Kosovës do ti jenë përjetë mirënjohës Mbretëreshës së Emirateve të Bashkuara Arabe, Sheika Fatima bint Mubarak, për këtë donacion zemërgjerë. Unë do ti jem gjithmonë mirënjohëse Nënës Mbretëreshë Sheika Fatima bint Mubarak, mikes time te madhe, ashtu siç e quan populli i saj, për bujarinë e treguar.
Dëshiroj të shpreh falënderim dhe mirënjohjen time të thellë për shtetin mik - Emiratet e Bashkuara Arabe, për Ministren e Shtetit - Maitha Al Shamsi, për ambasadoren - Hafsa Abdullah Mohammed Sharif Al Ulama, për gjithë ekipin e ekspertëve të cilët me shumë përkushtim kanë punuar për realizimin e këtij projekti aq të rëndësishëm për shëndetësinë e Kosovës, i cili udhëhiqej nga Dr. Barakat nën menaxhimin e Madhërisë së saj.
Për një të nesërme të ndritur të vendit, ne sot duhet të investojmë në shëndetin e fëmijëve tanë, sepse e ardhmja ju takon atyre.
Zoti e bekoftë Madhërinë e saj,
Zoti i bekoftë vendet tona dhe popujt tanë,
Ju Faleminderit!