Urologët e QKUK-së marrin 2 çmimet kryesore në Kongresin e Evropës Juglindore
Antalya, 10 nëntor - Në Kongresin e 11-të, të Evropës Juglindore të organizuar nga Shoqata Evropiane e Urologëve të mbajtur në Antalya të Turqisë nga data 6 deri më 8 nëntor 2015, urologët nga Kosova janë paraqitur me mjaft sukses duke fituar çmimet e para. Në konferencën e sotme për medie, u prezantuan çmimet e fituara dhe rezultatet e konferencës.
Çmimet i prezantuan dr. Taner Yusuf, nënkryetar i Shoqatës së urologëve të Kosovës, Dr. Fahredin Veselaj, drejtor i Klinikës së Urologjisë, prof.dr. Suzana Manxhuka, mentore e punimeve dhe dr. Liridon Selmani si fitues i çmimit urologu më i mirë ndër të rinjtë.
Në mesin e 500 pjesëmarrësve në garën e organizuar, kosovarët morën 2 çmimet kryesore, përfshirë edhe çmimin e parë për urologun më të mirë në mesin e të rinjve.
Çmimin e parë për posterin më të mirë e mori Ass.dr. sci, Fahredin Veselaj, i cili njëherësh është edhe drejtor i Klinikës së Urologjisë. Ass.dr. Liridon Selmani- Phd, fitoi çmimin si urologu më i mirë në mesin e të rinjve. Gjatë ndarjes së çmimit është ekzekutuar Himni i Republikës së Kosovës.
Në garë për çmimet e para ishin rreth 500 pjesëmarrës, në këtë Kongres pjesëmarrës ishin 20 urologë nga gjithë Kosova.
Në Kongres kishte punime nga shtete të ndryshme të botës përfshirë shtetin e Iranit, Azerbejxhanit, Kuvajtit, Ukrainës, Gjeorgjisë, Turqisë, Shqipërisë, Greqisë, Serbisë dhe shtete të tjera. Ky është sukses më i madh që një shtet merr njëkohësisht 2 çmimet e para në një Kongres me pjesëmarrje të gjerë.