06 Janar 2025

Sigurimet shëndetësore-një reformë që po zgjat

Prishtinë, 18 prill - Në Ditën Evropiane të Drejtave të Pacientëve, Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë (PRAK), në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë mbajtën tryezën: “Sigurimet shëndetësore-një reformë që po zgjat”.
 
Në këtë takim, përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë, PRAK-ut, SHSKUK-së, organizatave të ndryshme ndërkombëtare në Kosovë dhe të shoqërisë civile, u diskutua për procesin e sigurimeve shëndetësore, hapat e bërë deri tani në përgatitjen për fillimin e mbledhjes së premiumeve (kontributeve) financiare dhe ndikimin që pritet ta kenë sigurimet në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe në vet reformimin e sistemit shëndetësor.
 
Në emër të Ministrit të Shëndetësisë, Imet Rrahmani, këshilltari i tij politik, dr. Ramadan Halimi, tha se MSh-ja, së bashku më dikasteret e tjera po përgatitet që të jetë e gatshme sa më parë për fillimin e mbledhjes së kontributeve financiare për sigurimet shëndetësore publike.
 
Në këtë aspekt, ai tha se reforma shëndetësore që përfshin edhe sigurimet shëndetësore është e bazuar në pesë mekanizma: financimin, pagesat e bazuara në performancë, riorganizimin, mbrojtjen financiare dhe ndryshimin e sjelljes.

“Sigurimet shëndetësore janë prioritet i jashtëzakonshëm për MSh-në dhe Kabinetin e Ministrit Rrahmani dhe ne po punojmë që të jemi gati, që në momentin që Qeveria vendos për datën e fillimit të mbledhjes së premiumeve edhe teknikisht ta realizojmë këtë përgjegjësi”, tha Halimi.
 
Dr. Muhamedali Kodra, kryetarë i bordit të Shoqatës PRAK, tha se thelbi i reformës shëndetësore është reformimi i metodave të kompensimi të personelit shëndetësor, të kalohet nga rimbursimi pasiv i institucioneve shëndetësore në blerje strategjike, ku Fondi përveç marrëdhënieve kontraktuale me kontribuesit, krijon marrëdhënie kontraktuale edhe me institucionet shëndetësore të cilat do të paguhen në bazë të performancës.
 
Duke folur nga këndvështrimi i pacientit, Kodra tha se “pacienti nuk është një person i sëmurë, i paaftë dhe në nevojë të çdo lëmoshe që i ofrohet, por është një person që kontribuon aktivisht në sistemin shëndetësor në të gjitha aspektet”. Kodra shtoi se sigurimet nuk do të bëjnë mrekulli në shëndetësi, por janë të domosdoshme.
 
Dr. Arsim Qavdarbasha, Ushtrues Detyre i Kryeshefit të Agjensionit të Financimit të Shëndetësisë ka numëruar disa prej hapave të bërë drejt fuqizimit të kapaciteteve të AFSH-së dhe mekanizmave të tjerë të përfshirë në realizimin e skemës së sigurimeve shëndetësore, duke theksuar se zbatimi i kësaj skeme kërkon një angazhim multidisplinar që kërkon kapacitete teknike, plotësim legjislacioni me aktet e nevojshme, rritjen e resurseve humane dhe angazhim të madh.
 
Ai tha se me vendim të Qeverisë është nxjerrë edhe Rregullorja e AFSH-së dhe Rregullorja e Këshillit Përgatitor për themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, i cili do ta këtë rolin e blerësit të shërbimeve shëndetësore në emër të kontribuesve. 

“Jemi afër fillimit të mbledhjes së kontributeve, për fillimin e të cilave do të vendos Qeveria, ndërsa krejt angazhimet kanë për qëllim që sigurimet të ndajnë blerësin e shërbimeve prej ofruesit dhe në qendër të vëmendjes ta kenë interesin e pacientit dhe përmirësimin e cilësisë së shërbimeve për të” tha Qavdarbasha.
 
Në tryezë ku janë bërë pyetje të ndryshme nga pjesëmarrësit është vlerësuar si e rëndësishme edhe informimi i qytetarëve për atë se farë do të sjellin sigurimet shëndetësore, si dhe janë ngritur edhe çështje të ndryshme, të cilat i shoqërojnë sigurimet shëndetësore me rastin e zbatimit të tyre.

Një aktivitet tjetër që e ka përcjellur këtë ditë, ka qenë edhe shperndarja e broshurave informuese për të drejtat e pacientëve.

Gjithashtu, PRAK ka ndarë qmimin e pacientit “Dora e Ngrohtë” për kontribuesin e përmirësimit të pozitës së pacientit kosovarë fondacionit Golden Eagle, për investimet e bëra në repartet e pediatrisë në QKUK  spitalin e Prizrenit dhe të Gjilanit.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)