Shënohet Dita Ndërkombëtare e HIV/AIDS-it
Prishtinë, 1 dhjetor - Me rastin e 1 Dhjetorit-Ditës Ndërkombëtare të HIV/AIDS-it, Ministria e Shëndetësisë në bashkëpunim me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe Zyrën e OBSh-së në Prishtinë organizojnë një tryezë profesionale kushtuar kësaj dite.
Dita Ndërkombëtare e SIDA-s, shihet si një mundësi për njerëzit në gjithë botën që të bashkohen në luftën kundër virusit HIV.
Ky virus vazhdon të jetë problem madhor për shëndetin publik.
Vitin e kaluar, 1.2 milion njerëz kanë vdekur nga sëmundje të lidhura me AIDS-in.
Shumica e njerëzve të prekur me HIV jetojnë në vende me të ardhura të ulëta ose të mesme.
HIV-i mund të transmetohet nëpërmjet shkëmbimit të lëngjeve të ndryshme trupore nga individët e infektuar, të tilla si gjaku, qumështi i gjirit, sperma dhe sekrecionet vaginale.
Në Kosovë, sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, jetojnë rreth 100 persona të prekur nga kjo sëmundje. Në vitin 1986 është identifikuar rasti i parë.