Shënohet Dita Botërore e Diabetit
Prishtinë, 14 nëntor - 14 Nëntori është Dita Botërore e Diabetit, ditë e cila në shumë pjesë të Botës kalon duke mësuar dhe informuar popullatën lidhur me këtë sëmundje që është duke shkaktuar pandemi globale.
Me kete rast Ministria e Shëndetësisë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, Shoqata e Endokrinologëve dhe Diabetologëve të Kosovës dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë do të organizojnë aktivitete të ndryshme për shënimin e kësaj dite në të gjitha qendrat Rajonale të Kosovës si Prishtinë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan dhe Mitrovicë.
Për këtë qëllim, në IKSHP në Prishtinë do të mbahet Konferenca për media, në të cilën përfaqësuesit e institucioneve të lartpërmednuara do të flasin për Ditën Botërore të Diabetit, të dhënat rreth kësaj sëmundje në nivel global e kombëtar, mënyrat e trajtimit dhe vetëdijesimin e popullatës për parandalimin e saj.
Arsyeja e shënimit të kësaj dite në tërë Botën, e gjithashtu edhe tek ne në Kosovë është thirrje për Aksion për gjithë ata që me kontributin e tyre do të përkrahin masat e parandalimit dhe kontrollit të Diabetit në Kosovë dhe botë.
Në mbarë botën 415 milionë të rritur jetojnë me diabet dhe ky numër pritet të rritet në 642 milionë, ose një në dhjetë të rritur ne vitin 2040, një në dy të rritur me diabet është i pa diagnostikuar, rreth 90% e popullatës atakohet me diabetin tip 2 dhe 10% me diabet tip 1, dhe 12% e totalit të shpenzimeve globale në shëndetësi aktualisht shpenzohet për të rriturit me diabet.