QKUK, operohet me sukses pacienti me tumor të mëlçisë 15 x10 cm
Prishtinë, 3 dhjetor - Në Klinikën e Kirurgjisë të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) është kryer me sukses të plotë operimi i tumorit të mëlçisë tek pacienti Ibush B (1949).
Zëdhënësi i QKUK-së, Shpend Fazliu ka thënë se pacienti ishte hospitalizuar në Klinikën e Kirurgjisë më datën 23 nëntor dhe ishte vërtetuar se kishte tumor të mëlçisë me dimensione 15x10 cm.
\"Ekipi operatorë në përbërje të Dr. Floren Kavaja, Dr. Bedri Braha, dr. Arsim Ajeti, me asistim edhe të dr. Muhamet Musa, specializant, dr. Shpresa Hasimja, specialist e anesteziologjisë dhe ekipi përcjellës në përbërje edhe të instrumentarve e teknikëve të anestezionit, Afërdita Gllavica , Kumrije Mjaku dhe Luljeta Bërbatovci\", ka theksuar Fazliu.
Pacienti pas operacionit ka gjendje më të mirë shëndetësore dhe po vazhdon të mjekohet në repartin e Kirurgjisë Abdominale.
Fazliu ka theksuar se i njëjti pacient, ishte operuar muaj më parë si rast urgjent nga tumori i kollonit dhe ky është intervenimi i dytë për heqje të tumorit.