Project HOPE premton mbështetje të mëtejmë për SHSKUK
Prishtinë, 2 dhjetor - Një delegacioni i Fondacionit amerikan Project HOPE, i kryesuar nga Dr. Thomas Kenyon dhe përfaqësuesve të tjerë të këtij Fondacioni, gjatë ditës së sotme kanë vizituar Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).
Dr. Curr Gjocaj, Drejtor i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) e njoftoi delegacionin e \"Project HOPE\", në lidhje me punën që bëhet në SHSKUK, sfidat, sukseset dhe nevojat që ka ky institucion për donatorët.
Ai njoftoi në lidhje me fushë-veprimtarinë e SHSKUK-së, detyrat dhe përgjegjësitë që ka SHSKUK si institucioni më i lartë shëndetësorë i vendit.
Dr. Kenyon, u interesua në lidhje me nevojat dhe vështirësitë që kanë institucionet shëndetësore në varësi të SHSKUK-së, përfshirë edhe nevojat e për paisje mjekësore.
Drejtori Gjocaj, duke u përgjigjur në interesimin e Dr. Kenyon, shpjegoi se ka formuar një grup punues i cili ka analizuar kërkesat e njësive për paisje mjekësore dhe nevojat e tjera, dhe bazuar në këtë raport, në nivel të SHSKUK-së, nevojiten rreth 30 milion euro për të plotësuar kërkesat që kanë këtë njësi. Sipas tij, për të plotësuar në tërësi kërkesat për furnizim me barna dhe material shpenzues nevojiten edhe 5 milion euro shtesë, por edhe donacione të vazhdueshme.
Ai falënderoi Fondacionin Project HOPE për ndihmesat e deritanishme, duke kërkuar që të ketë mbështetje edhe në të ardhmen.
Dr. Izet Sadiku, Zv. Ministër i Ministrisë së Shëndetësisë së Republikës së Kosovës, njoftoi se bazuar në organizimin e ri, në QKUK janë formuar klinika të reja që burojnë nga ish-Klinika e Kirurgjisë dhe Klinika Interne. Sipas tij, deri tani nuk ka pasur mundësi të mbulohen financiarisht të gjitha kërkesat që kanë pasur klinikat e reja.
Zv. Ministri Sadiku, tha se dokumentacioni i punuar nga grupi punues në nivel të SHSKUK-së, ku janë të përfshira të gjitha kërkesat e njësive të SHSKUK-së, do të përkthehet dhe do të dorëzohet tek donatori, në këtë rast Fondacioni Project Hope.
Delegacioni i Project Hope vizitoi Klinikën e Onkologjisë Mjekësore ku nga afër bisedojë me menaxhmentin e kësaj klinike, stafin shëndetësorë dhe me pacientët.
Nga 1 janari deri në fund të muajit nëntor, Project Hope, ka ndihmuar SHSKUK-në me barna dhe material shpenzues në vlerë prej 2 milion e 890 mijë euro.