Përurohet objekti i ri i QKMF-së në Kaçanik
Prishtinë, 10 qershor - Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani me bashkëpunëtorë dhe zyrtarë të lartë të MSh-së, sot morën pjesë në përurimin e Qendrës Kryesore Familjare (QKMF), në Kaçanik.
Ministri Rrahmani ka përgëzuar udhëheqjen e Komunës së Kaçanikut, qytetarët dhe stafin mjekësor për objektin e ri.
Implementimi i Mjekësisë Familjare, që është një prej objektivave tona, mundëson vënien e themeleve të shëndosha, të cilat nuk mund të zhvillohen pa një infrastrukturë të tillë, tha Ministri Rrahmani.
Përfaqësuesi i Ambasadës së Dukës së Madhe të Luksemburgut, Pierre Weber i ka uruar qytetarët duke shprehur kënaqësinë e tij që kanë mundur të jenë mbështetës të këtij projekti të rëndësishëm për qytetarët e Kaçanikut.
Kryetari i Komunës së Kaçaniku, Besim Ilazi është shprehur falënderues për të gjithë kontribuuesit e ndërtimit të QKMF-së, duke theksuar se përurimit të objektit të QKMF-së, i shtohet rëndësia, ngase po bëhet në prag të ditës së çlirimit të qytetit.
Objekti i QKMF-së është me sipërfaqe të përgjithshme prej 2400 metrash katrorë, dhe është ndërtuar me bashkëfinancim të Ministrisë së Shëndetësisë, Komunës së Kaçanikut, Ambasadës së Luksemburgut dhe Caritas-it të Luksemburgut. Sipas Kontratës së nënshkruar për këtë objekt ishte ndarë shuma prej 1,245,000 euro prej të cilave Ministria e Shëndetësisë shumën prej 650,000 euro, Komuna kishte për obligim 350,000 euro, Caritasi 200,000 euro dhe ambasada e Luksemburgut me 45,000 euro.