Oda Amerikane vazhdon iniciativën për Institutin Special në Shtime
Prishtinë, 26 maj Me iniciativën e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, për herë të dytë me radhë u shpërndanë veshmbathje për rezidentët e Institutit Special në Shtime, të cilat arritën të grumbullohen falë kontributit të shumë bizneseve dhe individëve.
Në aktivitetin e dorëzimit të veshmbathjeve, morri pjesë edhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, z. Arban Abrashi.
Ministri Abrashi falenderoi Odën Amerikane që ka vazhduar organizimin e një aktiviteti të tillë, duke shprehur mirënjohjen e tij dhe për bizneset dhe komunitetin për përkrahjen dhe kontributin e tyre. Abrashi gjithashtu theksoi rëndësinë e organizimeve të tilla, të cilat sipas tij kontribuojnë në rritjen e nivelit të solidaritetit dhe mirëqenies së përgjithshme.
Ndërsa, Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka tha se në kuadër të Përgjegjësisë Shoqërore Korporative, bizneset duhet të vazhdojnë kujdesin për grupet e shoqërisë që nuk kanë përkujdesjen e duhur. Ai ri-theksoi gatishmërinë e institucionit që ai drejton që në vazhdimësi të ofrojë bashkëpunimin dhe mbështetjen e iniciativave të tilla. Zeka gjithashtu falenderoi të gjitha bizneset, partnerët dhe individët të cilët kontribuan në mbështetje të kësaj iniciative, përfshirë NLB Prishtina, HIB Petrol, Z-mobile, PricewaterhouseCoopers, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.
Në anën tjetër, Drejtori i Insitutit Special në Shtime, Xhemajl Dugolli i dhuroi një mirënjohje Odës Amerikane në shenjë falenderimi për mbështetjen e vazhdueshme përmes iniciativave të tilla, e të cilat sipas tij janë një ndihmë e madhe për plotësimin e kërkesave më prioritare për rezidentët e këtij instituti.
Në fund, Oda Amerikane premtoi mbështetje edhe në krijimin e hapësirave të lira brenda institutit.