OBSH: Zika rrezikon Europën në verë
Gjenevë, 19 maj - Virusi i Zikas mund të përhapet në Europë gjatë verës, edhe pse mundësitë për shpërthimin e një epidemie variojnë nga të moderuara në të ulëta.
Paralajmërimi vjen nga Organizata Botërore e Shëndetësisë sipas së cilës zonat më të rrezikuara janë ato ku gjenden mushkonjat Aedes, të tilla si ato pranë Detit te Zi në Rusi dhe Gjeorgji dhe ishulli i Madeiras.
Në një raport, OBSH sugjeron se në 18 shtete ekziston rrezik i moderuar për tu shënuar raste të Zikas, ndërsa në 36 të tjera, mes të cilave edhe Britania, rreziku është i ulët. Mes vendeve me rrezik të moderuar përfshihen Franca, Spanja, Italia dhe Greqia.
Për momentin, agjencia e OKB-së nuk këshillon kufizim të udhëtimeve. OBSH i bën thirrje vendeve të eliminojnë zonat e riprodhimit të mushkonjave dhe tu sigurojnë qytetarëve e veçanërisht grave shtatzëna, informacione mbi pasojat e mundshme të sëmundjes.
Agjencia paralajmëron shumicën e vendeve që rrezikojnë të preken, të përgatiten për të përballuar rastet e reja dhe për ti trajtuar ato me shpejtësi, ndërsa disa të tjera duhet të zhvillojnë kapacitetet për të diagnostikuar virusin.
Zika është lidhur me rastet e foshnjave që lindin me defekte në tru dhe virusi është evidentuar në më shumë se 50 vende gjatë epidemisë. Ekspertë të OBSH-së pretendojnë se rreziku i përhapjes në fund të pranverës dhe gjatë stinës së verës është më i madh, pasi mushkonjat Aedes që bartin virusin, bëhen më aktive.