Në Kosovë bie numri i të prekurve të tuberkulozit
Prishtinë, 23 mars - Viti 2015 ka qenë vit i suksesshëm në luftën kundër tuberkulozit, ndërsa krahasuar më një vit më parë, numri i të prekurve nga kjo sëmundje ngjitëse ka qenë për 64 raste më pak.
Kështu u tha sot në shënimin e Ditës Botërore të Tuberkulozit, organizuar nga Ministria e Shëndetësisë, IKSHP, OBSH, OJQ KeA, Shoqata e Pulmologëve të Kosovës, Fondi Global dhe CDF, partnerë në implementimin e Programit të tuberkulozit në Kosovë.
Në këtë ditë që sivjet shënohet me moton: Së bashku ta mundim tuberkulozin, u tha se gjatë vitit 2015 në Kosovë janë regjistruar 770 raste të TB, me një incidencë prej 41. 6 të prekurve në 100.000 banorë, apo 64 rate më pak se në 2014 kur në Kosovë ishin regjistruar 834 të sëmurë dhe incidencë 46 /100.000 banorë, që përbën një ulje të konsiderueshme të rasteve me këtë sëmundje.
Ministri i Shëndetësisë Dr. Imet Rrahmani tha se falë përkushtimit të MSH-së dhe partnerëve në implementimin e Programit të TB-së (Fondi Global, CDF, IKSHP, OBSH, KeA...) dhe angazhimit të punonjësve shëndetësor, Kosova ka shënuar sukses në trajtimin e tuberkulozit, duke mbuluar të gjithë të prekurit me terapinë e nevojshme falas gjatë tërë viti, sigurimin e aparaturave për diagnostikim të shpejtë si dhe trajtimit edhe të rasteve që janë rezistente në terapinë e gjeneratës së parë antituberkulare.
Nga kjo përkrahje, për herë të parë është planifikuar në buxhet vlera prej 539.000 euro për tre vitet: 2016-2018 si përkrahje e Programit dhe pacientëve me TB, theksoi Ministri Rrahmani, duke shtuar se prej vitit të ardhshëm, MSh do të fillojë të blejë vet barnat antituberkulare, reagjensat për trajtimin e të prekurve dhe aparateve të tjera diagnostiko, ndërkohë që falënderoi Fondin Global për mbështetjen e deritanishme të këtij programi përmes granteve.
Dr. Naser Ramadani, drejtor ekzekutiv i IKSHP-së tha se ky institucion e përcjell në vazhdimësi situatën epidemiologjike me tuberkuloz dhe merret me parandalimin e kësaj sëmundjeje akoma vdekjeprurëse dhe shumë të përhapur në botë. Arsyeja e shënimit të kësaj dite është thirrja për aksion për të gjithë ata, që me kontributin e tyre do të përkrahin eliminimin e TB në Kosovë, tha Ramadani.
Dr. Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSH-së në Kosovë tha se përpjekjet për ti dhënë fund epidemisë së TB-së duhet të jenë ndër-diciplinare dhe ndër-sektoriale dhe mund të ndihmojnë në përshpejtimin e përparimit drejt synimeve të qëndrueshme zhvillimore. Kosova ka bërë përparime në vitet e fundit në adresimin e TB-së. Përkundër këtij përparimi numri i rasteve me TB mbetet mbi mesataren e Rajonit Evropian, andaj duhet bërë përpjekje qënë vitet në vazhdim drejt arritjes së synimeve të Programit për Kontrollin e TB-së.
Znj. Nermin Mahmuti, drejtoreshë për Kosovë e CDF-it, marrëse primare e Grantit të FG për Kosovë tha se programi ka pasur sukses falë bashkëpunimit të mirë më MSH-në, IKSHP_në, OBSH-në, KeA dhe partnerët e tjerë, ndërsa lajmi i mirë, theksoi ajo është se prej muajit prill 2015 ka filluar aplikimi për Grantin e ri pranë Fondit Global dhe në muajin Tetor 2015 pas një pune intensive të grupit punues si dhe konsulentëve ndërkombëtarë erdhi përgjigja pozitive për fitimin e grantit për periudhën 2016-2018, në vlerë prej 2.160.000 eurove që mbështet Programin në fushat kryesore si blerja e barnave Antituberkulare, reagjensave për laboratorë, diagnostikimin dhe trajtimin e pacienteve me TB si dhe në ngritjen e kapaciteteve në infrastrukturë, diagnostikim të shpejte e të hershem dhe resurset njerëzore dhe profesionale.
Koordinatorja Kombëtare për TB, dr. Majlinda Gjocaj, prezantoi një ecuri të rasteve të TB-së në Kosovë përgjatë viteve, ku vërehet një rënie e madhe, pasi që më 2001 numri i të prekurve me TB në Kosovë ishte 1674 duke rënë vazhdimisht, deri në 770 për vitin 2015. Ajo dhe dr. Xhevat Kurhasani, drejtor i KEA kanë njoftuar se në Kosovë ka 5 pacientë me Në Kosovë ka gjithsej 5 pacientë me MDR Multi Drug Rezistence dhe vetëm një rast të ri me MDR për vitin 2015.
Gjithashtu, u bë e ditur se në Repartin për MDR në Spitalin Regjional të Pejës, janë trajtuar edhe 3 raste me TB MDR nga Republika e Shqipërisë në kuadër të Marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe shërbimeve të ndërsjella për pacientët në të dy vendet.
U vlerësua si fakt shumë domethënës dhe pozitiv që gjatë vitit 2015 Kosova nuk e ka asnjë rast te regjistruar të bashkë-ekzistencës me HIV, çka në fakt është problemi madhor në vendet e tjera .
Me ndihmën e OBSH-së, sot u bë prezantimi edhe i Doracakut: Standardet ndërkombëtare të kujdesit për tuberkulozin, i përkthyer në gjuhën shqipe.