Ministria e Drejtësisë ndërton burg në Repartin e Gjinekologjisë
Prishtinë, 18 nëntor - Ministria e Drejtësisë (MD) ka vendosur që një pjesë të Repartit të Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) ta adaptojë në burg për të burgosurit, që kanë nevojë për trajtim spitalor.
Zyra e Prokurimit e Shërbimit Korrektues të Kosovës para pak ditësh ka publikuar njoftimin për kontratë e ku dita e fundit e dorëzimit të ofertave për kompanitë, që shprehin interesim për të adaptuar atë hapësirë spitalore në burg, është e mërkurë, 18.11.2015, raporton Zëri.
Në njoftimin për kontratë të Publikuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) thuhet se kompanitë që shprehin interesim për këtë tender duhet ta kenë një dëshmi nga banka së kompania ka qarkullim financiar prej 100,000 eurosh për tri vjetët e fundit 2012, 2013 dhe 2014.
Po ashtu sipas njoftimit të publikuar, kompanitë duhet ta kenë një vërtetim të nënshkruar nga Administrata Tatimore, e cila dëshmon se nuk kanë borxhe ndaj ATK-së së paku deri në tremujorin e fundit përpara dorëzimit të tenderit. Po ashtu, kompanitë që janë të interesuara për këtë tender duhet ta sjellin edhe një vërtetimin nga Gjykata Ekonomike që vërteton se operatori ekonomik i përmbush kërkesat e përshtatshmërisë.
/Zëri/