Kujdesi Parësor Shëndetësor është shtylla kryesore e shëndetësisë
Prishtinë, 27 janar - Kujdesi Parësor Shëndetësor është shtylla kryesore e sistemit shëndetësor dhe për këtë arsye, Ministria e Shëndetësisë është duke i kushtuar rëndësi të veçantë këtij niveli të mbrojtjes shëndetësore dhe duke e trajtuar me prioritet në politikat e saja.
Kështu tha sot Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani, në tryezën e rrumbullakët me përfaqësuesit e Kujdesit Parësor Shëndetësor (KPSH), Bankës Botërore, Agjensionit Zviceran për Bashkëpunim dhe dhe Lux- DEV me temën: Motivimi i mjekëve në Kujdesin Parësor për zonim dhe regjistrim të pacientëve.
Në këtë tryezë, përveç diskutimeve për organizimin, rezultatet, sfidat dhe prioritetet në Kujdesin Parësor Shëndetësor, pati edhe disa prezantime nga përfaqësuesit e këtij niveli nga Komuna të ndryshme.
Ministri Rrahmani theksoi se në kuadër të Strategjisë Sektoriale Shëndetësore 2015-2020 dhe Strategjisë së Kujdesit Parësor Shëndetësor, MSh është duke e shtyrë para avancimin e Konceptit të Mjekësisë Familjare, duke synuar realizimin e qasjes së më të lehtë të qytetarëve në shërbimet shëndetësore dhe ngritjen e cilësisë së këtyre shërbimeve.
Në këtë aspekt, Ministri tha se janë vendosur edhe indikatorë të qartë, të cilët do ta bëjnë të matshëm progresin e arritur në këtë nivel të Kujdesit Shëndetësor, do të adresohen sfidat dhe do ti mundësojnë Ministrisë dhe Komunave që ta zhvillojnë konceptin e Mjekësisë Familjare dhe qëndrueshmërinë e tij.
Ministri, gjithashtu, theksoi se arritshmëria, gjithë-përfshirja, koordinimi midis niveleve dhe integrimi i shërbimeve të KPSH me shërbimet që ofron Kujdesi Dytësor dhe Tretësor Shëndetësor, janë tregues se në këtë nivel janë duke u ndërmarrë hapa konkret për realizimin e konceptit të Mjekësisë Familjare.
Para, pjesëmarrësve, është prezantuar edhe Korniza logjike e veprimeve që dalin nga Strategjia Sektoriale Shëndetësore të cilën e ka prezantuar këshilltari i Ministrit Rrahmani, dr. Ramadan Halimi, ndërkohë që pjesëmarrësit kanë prezantuar e debatuar rreth ideve të ndryshme për fuqizimin e Kujdesit parësor, sfidave të hasura në këtë nivel dhe çështjet që meritojnë vëmendjen më të madhe si nga ana e politikë-bërjes, ashtu edhe nga vet profesionistët shëndetësor.