Instrumenti i kredisë së butë nuk është shfrytëzuar
Prishtinë, 14 mars - Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina, ka pritur sot në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler.
Në takim u bisedua për bashkëpunimin e frytshëm ndërmjet Kosovës dhe Austrisë, në fusha të ndryshme, si dhe për mundësitë e zgjerimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi. Me theks të veçantë u diskutuan mundësitë e bashkëpunimit në funksion të avancimit të sektorit të shëndetësisë së Kosovës, si dhe çështjen e pensioneve të qytetarëve tanë të cilët kanë punuar në Austri.
Kryetarja e komisionit, Brovina, e falënderoi ambasadorin z. Pfandler, për mbështetjen e vazhdueshme e të pakursyer që Austria ka dhëne dhe ende vazhdon të jap për Kosovën.
Ambasadori z. Pfandler, ndërkaq elaboroi mbështetjen që ka bërë Austria për Kosovën deri me tani, si dhe shprehu gatishmërinë për të vazhduar edhe me tej që të ofrojë mbështetje konkrete.
Në kuadër të kij takimi u diskutua me theks të veçantë rreth Marrëveshjes së kredisë Kosovë-Unicredit Bank Austria AG për financimin e Projektit të modernizimit të shërbimeve të kardiologjisë invazive në QKUK.
Brovina, shprehu keqardhjen për mos ratifikimin e marrëveshjes ne Kuvend, njëherësh u zotua se Komisioni për Shëndetësi Punë dhe Mirëqenie Sociale do ta ftojë në takim Ministrin e Shëndetësisë ku do të diskutohet pikërisht lidhur me këtë marrëveshje, si dhe do të shqyrtohet mundësia të riprocedohet edhe njëherë kjo marrëveshje në Kuvend për ratifikim.
Ambasadori z. Pfandler u shpreh se instrumenti i kredisë së butë nuk është shfrytëzuar sa duhet megjithëse është në të mirë të Kosovës, respektivisht në të mirë të sektorit të shëndetësisë. Sa i përket Ministrisë së Financave të Qeverisë së Austrisë, shtoi se gjithçka është në rregull në këtë rast vetëm pritet ratifikimi nga Kuvendi dhe të fillojë së implementuari kjo marrëveshje.
Brovina dhe z. Pfandler u pajtuan se të dy vendet do të vazhdojnë bashkëpunimin e frytshëm në sektor të ndryshëm.