I arratisuri Lutfi Dervishi ende punonjës i QKUK-së
![I arratisuri Lutfi Dervishi ende punonjës i QKUK-së](https://ekonomia.info/repository/images/main/18_04_2016_6086937_Lutfi_Dervishi.jpg)
Prishtinë, 18 prill - Lutfi Dervishi, urologu i dënuar në rastin Medicus, ndonëse më 25 mars do të duhej të paraqitej në burg, ai është arratisur.
Dervishi vazhdon të jetë punëtor i QKUK-së, pasi ka shfrytëzuar disa ditë nga pushimi vjetor. Por, menaxhmenti spitalor tashmë konfirmon se administrativisht janë në prag të shkëputjes së kontratës së punës urologut Lutfi Dervishi.
Pacientët vazhdojnë ta kërkojnë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, institucion ky ku urologu Lutfi Dervishi punoi deri pak ditë para se të arratiset.
Para se vendimi për vuajtje të dënimit prej tetë vjetësh të bëhet i ekzekutueshëm, Dervishi ka marrë një pushim vjetor në QKUK, që i kishte mbetur pa shfrytëzuar nga viti i kaluar.
Por edhe pse 12 ditët e pushimit vjetor i ka kaluar, Dervishi nuk është paraqitur as në qendrat korrektuese për të filluar vuajtjen e dënimit, ashtu siç precizohet në vendimin e Gjykatës së Apelit e as në vendin e tij të punës.
Ne kemi kërkuar të sqarojmë nga Gjykata e Apelit nëse vendimi për të dënuarit e rastit Medicus është i ekzekutueshëm, ka thënë për Zërin Curr Gjocaj, drejtor i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK).
Ai ka thënë se këtë pyetje Gjykatës ia kanë bërë për doktorin Lutfi Dervishi, urolog, dhe për anesteziologun Sokol Hajdini.
Kemi marrë përgjigjen që për doktor Lutfi Dervishin vendimi është i ekzekutueshëm, ka thënë drejtori Gjocaj, sipas të cilit, Gjykata është përgjigjur ndërkaq se vendimi për doktorin Sokol Hajdini nuk është i ekzekutueshëm.
Pra, ai ka të drejtë ankese, ka thënë drejtori Curr Gjocaj.
/Zëri/