06 Janar 2025

Hapet Qendra Informuese për Shëndetin e Gruas në Shtërpcë

Prishtinë, 30 mars - Në një ceremoni zyrtare sot, u hap Qendra Informuese për Shëndetin e Gruas në Komunën e Shtërpcës, në Ambulantën e Mjekësisë Familjare në Drajkovc.

Kjo Qendër sjell gratë nga etnicitetet e ndryshme në një dhomë të përbashkët ku ndajnë eksperiencën e njejtë e të bërit nënë.

Në këto qendra këshillat individuale dhe grupore ofrohen në një ambient shumëngjyrësh, privat dhe të rehatshëm.

Pjesëmarrëset marrin edukimin esencial në ushquyeshmërinë gjatë shtatzanisë, fazat e shtatzanisë, përgatitja fizike dhe psiqike për lindje, kujdesi ndaj të posalindurit dhe gjidhënia.

Në ceremoninë e hapjes sot, Sabri Murseli, drejtor i Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Shtërpcës, theksoi se ekzistimi i qendrave të tilla edukative është i domosdoshëm për institucionet tona drejt edukimit të grave dhe partnerëve të tyre për shtatzaninë dhe lindjen.

Gëzim Kokollari, nga Ministria e Shëndetësisë, tregoi për mirëpritjen e një inciative të tillë dhe rëndësinë e ofrimit të këshillave edukative që përmirësojnë shëndetin e nënës dhe fëmijës, sidomos marrë parasysh që shëndeti i nënës dhe fëmijës është ndër prioritetet kryesore të Ministrisë.

Fjala e Dr. Burim Karameta, Drejtor i Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale nga Komuna e Ferizajit, tregon për rëndësinë e bashkëpunimit ndër komunal në hapjen e Qendrës Informuese sot, duke marrë modelin e funksionimit të Qendrës Informuese në Ferizaj e cila u themelua një vit më parë.  

Albiona Beha, nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë, falenderoi mamitë e Ambulantës së Mjekësisë Familjare në Drajkovc të cilat do të jenë përgjegjëse për ofrimin e ligjëratave dhe mbarëvajtjen e aktiviteteve të Qendrës.

Ajo theksoi se hapja e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas në Drajkovc-Shtërpcë shënon njëherit edhe pikën 4 të lokacionit të këtij programi.

\"Deri më tash, rreth 2,500 gra kanë përfituar nga përkrahja e Qendrës Informuese për Shëndetin e Gruas. Vitin e kaluar, Aksioni për Nëna dhe Fëmijë themeloi 3 Qendra në Prishtinë e Ferizaj,” – shton Beha.

Hapja e Qendrës Informuese në Shtërpcë përkrahet nga UNMIK-zyra në Kosovë dhe zgjerimi i aktiviteteve të këtij programi mundësohet falë donacioneve të mbledhura nga ngjarja “Të vallëzojmë për Nënat dhe Fëmijët.”

Programi i Qendrave Informuese për Shëndetin e Gruas mbështetet nga Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Solidar Suisse Kosova.  

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)