Fillon skriningu i retinopatisë tek foshnjet premature në QKUK
Prishtinë, 21 mars - Në fillim të muajit mars u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit me drejtorinë e Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës SHSKUK dhe Aksionit për Nëna dhe Fëmijë, marrëveshje kjo që garanton ndërtimin e sistemit të skriningut dhe laserimit të syve tek të posalindurit.
Skriningu i Retinopatisë tek të Posalindurit (ROP) është një metodë e diagnostifikimit të hershëm të sëmundjeve të retinës tek foshnjet e lindura para kohe.
Ky diagnostifikimin i hershëm mundëson edhe intervenimin e hershëm me qëllim të parandalimit të pasojave të pakthyeshme të dëmtimit të të pamurit apo verbimit total të foshnjave.
Skriningu për ROP kryhet nga oftamologu i specializuar, kirurgu vitreoretinal, dhe kryhet në Klinikën e Neonatologjisë, aty ku ndodhen foshnjet premature.
Kjo nismë nuk kishte me qenë e mundur pa bashkëpunimin direkt të Spitalit Kubati dhe Aksionit për Nëna dhe Fëmijë, bashkëpunim ky që siguron angazhimin vullnetar të ekspertëve nga Kubati për një periudhë të nevojshme derisa të ndërtohen kapacitetet brenda QKUK-së dhe sigurohen pajisjet e domosdoshme.
Ekipi i mjekëve vullnetarë përbëhet nga Dr. Burim Zhuri dhe Dr. Muhamet Zekolli, që të dy kirurg vitreoretinal.
Në mesin e vitit 2015, spitali Kubati shpalosi një projekt propozim Aksionit për Nëna dhe Fëmijë për skrining. Një prioritet i tillë është parashtruar edhe nga vetë Klinika e Neonatologjisë në QKUK.
Me iniciativën e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë për të adresuar problematikën e skriningut të retinopatisë është identifikuar mungesa e kapaciteteve humane brenda QKUK-së, mungesa e protokoleve si dhe mungesa e pajisjeve që mundësojnë ndërtimin e sistemit të skriningut.
Këto bashkëpunime të ndërmjetësuara nga Aksioni për Nëna dhe Fëmijë sigurojnë ekipin e ekspertëve vullnetarë më lart të cilët me pajisjet e huazuara nga spitali Kubati kanë filluar skriningun e retinopatisë tek foshnjet premature pranë Klinikës së Neonatologjisë. Paralelisht po ndërtojnë kapacitetet humane pranë Klinikës së Oftamologjisë e cila mundëson vazhdimin e protokoleve të skriningut në QKUK, shprehet Mrika Aliu, drejtoreshë ekzekutive e Aksionit për Nëna dhe Fëmijë.
Ndërkaq, departamenti për shëndetin e nënës dhe fëmijës pranë Ministrisë së Shëndetësisë dhe drejtoria e SHSKUK-së kanë garantuar sigurimin e pajisjeve të nevojshme për skriningun dhe laserimin e retinopatisë tek prematurët ashtu që të vazhdohen protokolet e ndërtuara.
Evidenca më e fundit tregon se ndonëse skriningu i retinopatisë është shërbim i nevojshëm, ai nuk garanton që fëmijët nuk do të verbohen pas asaj por mundëson diagnostifikimin e hershëm dhe trajtimin me kohë.
Aksioni për Nëna dhe Fëmijë është fondacion humanitar që i përkushtohet shpëtimit të jetës së fëmijëve dhe nënave në Kosovë. Ky fondacion zhvillon programe shëndetësore në klinikat gjinekologjike/obstetrike (që përkujdesen për nënat), Njësitë e Kujdesit Intensiv Neonatal (që përkujdesen për foshnjet e lindura para kohe) dhe klinikat pediatrike (që përkujdesen për fëmijë të sëmurë nga leukemia, sëmundje të zemrës, astma dhe sëmundje të tjera) në Republikën e Kosovës.