Fillon çiklizmi rreth Kosovës për shëndetin e nënave dhe fëmijëve
Prishtinë, 3 qershor - Një grup prej rreth 32 çiklistëve po nisin udhëtimin prej 500 kilometrash rreth e rreth Kosovës për të mbledhur fonde për shëndetin e nënave dhe fëmijëve nē Kosovë.
Çiklizmi rreth Kosovës për Fëmijët është një ngjarje bëmirëse vjetore 3-ditore e çiklizmit përreth Kosovës për të ngritur fonde për fondacionin humanitar Aksioni për Nëna dhe Fëmijë. Kjo ngjarje u realizua me sukses në vitiet 2014 dhe 2015 dhe po rritet çdo vit.
Nesër, më 3 qershor 2016, një grup prej rreth 32 çiklistëve do të nisin udhëtimin e tyre bëmirës me biçikleta për herë të 3të, në një distancë prej 500km rreth e rreth Kosovës.
Çiklistët e veshur me fanellat ngjyrë verdhë nisen nga Prishtina (me 3 qershor, ora 06.45AM, pranë Lulus Coffee&Wine) për në Mitrovicë, Pejë, Gjakovë, Prizren, Ferizaj, Gjilan, Kamenicë dhe kthehen me datën 5 qershor 2016 përsëri në Prishtinë në ngjarjen përmbyllëse në Beer Garden (tek Qafa në Prishtinë) në ora 18.00.
Albion Hadri, njëri nga organizatorët e ngjarjes dhe çiklist shprehet, Jemi shumë të kënaqur me numrin e pjesëmarrësve në këtë udhëtim çiklistësh. Kjo nuk është garë por aktivitet humanitar. Andaj lusim edhe kalimtarët dhe vozitësit e tjerë që na shohin gjatë udhëtimit këto ditë të kenë durimin dhe tna mirëkuptojnë derisa kalojmë nëpër qytetet dhe fshatrat përreth Kosovës.
Kjo ngjarje bëmirëse vjetore ngrit fonde për fondacionin humanitar Aksioni për Nëna dhe Fëmijë në mbështetje të programeve furnizuese për shpëtimin e foshnjeve në Klinikën e Neonatologjisë në QKUK.
Ngjarja u organizua për herë të parë në vitin 2014 dhe fondet e ngritura atëhere siguruan aparatin e parë për përcaktimin e Proteinës C Reaktive (CRP) në Klinikën e Neonatologjisë që mundëson kryerjen e analizës së gjakut pranë shtratit të foshnjes dhe jo më në laboratorët jashtë klinikës.
Ngjarja e vitit 2015 siguroi fotollampat të cilat mundësojnë trajtimin e verdhëzës tek foshnjet, Fondet e ngritura nga ngjarja e këtij viti do të sigirojnë monitorët kardiopulmonar për spitalin e foshnjeve të cilat masin të rrahurat e zemrës dhe frymëmarrjes tek bebet dhe lëshojnë sinjal kur këto të rrahura keqësohen, gjë që mundëson trajtim më të shpejt për beben.
Ngjarja përmbyllëse të dielën është e hapur për të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të bashkangjiten në pritje të kthimit të çiklistëve në Prishtinë.
Ngjarja mbahet me 5 qershor 2016 në Beer Garden (pranë Qafës në Prishtinë) nga ora 18.00. Në këtë ngjarje do të ketë edhe muzikë dhe aktivitete argëtuese në ngritjen e fondeve për Aksionin për Nëna dhe Fëmijë.
Kjo ngjarje është nismë e dy çiklistëve ndërkombëtarë që jetojnë në Kosovë dhe përkrahet fuqishëm nga Eulex, Policia e Kosovës, Devolli Corporation, Astes Turkey, Rugove, BpB, Shtepiaku, On Line Studio, MoneyGram, UniProject, European Auto Care, Entermedia, VM3, dhe Beer Garden.
Aksioni për Nëna dhe Fëmijë është fondacion humanitar që i përkushtohet shpëtimit të jetës së fëmijëve dhe nënave në Kosovë.
Ky fondacion zhvillon programe shëndetësore në klinikat gjinekologjike/obstetrike (që përkujdesen për nënat), Njësitë e Kujdesit Intensiv Neonatal (që përkujdesen për foshnjet e lindura para kohe) dhe klinikat pediatrike (që përkujdesen për fëmijë të sëmurë nga leukemia, sëmundje të zemrës, astma dhe sëmundje të tjera) në Republikën e Kosovës.