Ambasada Finlandeze bashkë me vullnetarë, për shëndet!
Prishtinë, 25 mars - OJQ The Ideas Partnership sot ka organizuar konferencën me titull Përkrahja Vullnetare për Familje të Shëndetshme në një Mjedis të Shëndetshëm në hapësirat e Zyrës Kulturore dhe Informative të BE-së në Prishtinë.
Në këtë konferencë u prezentuan rezultatet e projektit një vjeqar me të njëjtin titull, Përkrahja Vullnetare për Familje të Shëndetshme në një Mjedis të Shëndetshëm të realizuar në Fushë Kosovë dhe Janjevë me komunitetet Rom, Ashkali dhe Egjiptian. Gjithashtu gjatë kësaj konference u lansua edhe një video promovuese e punës së këtij projekti të mbështetur nga Ambasada Finlandeze në Prishtinë.
Për më tepër, sot u prezentua edhe hulumtimi mbi përdorimin e gazit natyror të prodhuar nga mbetjet organike, për nevoja shtëpiake, si një formë inovative e sjellur në Kosovë për të luftuar problemet e ndotjes së ambientit.
Të pranishmit patën rastin që të takojnë edhe disa nga përfituesit e projektit, dhe vullnetarë që kanë kontribuar në realizimin e kësaj pune kolosale. Krejt në fund, atyre iu dhurua edhe një çantë e pelhurës, çantë me lavandë dhe sapunë natyral të punuara nga gratë përfituese të projektit, si dhe patën rastin të shijojnë disa nga produktet e punës së tyre (fruta te thara).