22 Dhjetor 2024

''Zgjoi'' i Blerta Bashollit në konkurencë kryesore në Sundance Film Festival

Prishtinë, 15 dhjetor - Filmi debutues i regjisores dhe skenaristes Blerta Basholli “Zgjoi” (Hive) është përzgjedhë në konkurencë zyrtare kryesore në festivalin e njohur ‘Sundance Film Festival’ që do të mbahet në janar të vitit 2021 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

‘Zgjoi” është film i bazuar në ngjarje të vërtetë që portretizon Fahrijen (interpretuar nga Yllka Gashi) e cila në kërkim të burrit të sajë të humbur gjatë luftës në Kosovë, fillon një biznes bujqësor për t’a siguruar mbijetësën e familjes, në një ambient tradicionalisht patriarkal ku ambicia e saj për t’u zhvilluar nuk shihet me sy të mirë.

Punët bujqësore fillojnë t’i ecin mbarë, pos bletëve që janë shumë kaotike dhe agresive ndaj sajë. Në rrugëtimin  për ta gjetur paqen me bletët, ajo fillon ta gjejë edhe paqen me vetëveten.

Regjisorja dhe skenaristja Blerta Basholli në lidhje me pjesëmarrjen në Sundance u shpreh jashtëzakonisht e lumtur, e në veçanti për temën që shtjellon ky film, për gratë e suksesshme të Krushës së Madhe: “Një falenderim i veçantë është për zonjën Fahrije Hoti, e cila ndau me ne tregimin e saj, tregim i cili ishte inspirimi i vërtetë për mua si grua e shpresoj të jetë edhe për shumë gra e vajza të tjera”.

Regjisorja Basholli falenderoi edhe të gjithë ekipin e filmit për të cilin u shpreh se: “ ishte një kombinim perfekt i një grupi filmbërësish nga shumë vende të ndryshme që kontribuan jashtë mase në të gjitha fazat e realizimit të filmit”.

“Jam shumë i lumtur që pas një pune gati 5 vjeçare do të sjellim para publikut një rrëfim shumë të rëndësish për ne, dua të falenderoj të gjithë ekipin dhe regjisoren Basholli e në veçanti zonjën Fahrije që na besoi tregimin e sajë që ta realizojmë në film”. – u shpreh producenti kryesor i filmit Yll Uka.

Rolin kryesor e luan Yllka Gashi, ndërsa në rolet tjera paraqiten Çun Lajçi, Kumrije Hoxha, Aurita Agushi, Kaona Sylejmani, Mal Noah Safçiu, Adriana Matoshi, Astri Kabashi, Molikë Maxhuni, Blerta Ismaili, Valire Haxhijaj Zeneli, Armend Smajli, Ilir Prapashtica, Xhejlane Terbunja, Shkelqim Islami etj, drejtor fotografie Alex Bloom, montazher Enis Saraçi dhe Félix Sandri, bashkëproducent Valon Bajgora, Agon Uka, Britta Rindelaub, Kristijan Burovski, Tomi Salkovski, Paskal Semini.

“Zgjoi“ është një bashkëprodhim filmik në mes të Kosovës, Zvicrrës, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut i mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës, Zyra Federale për Kulturë FOC dhe Cinéforom (Zvicërr), Agjencia e Filmit e Maqedonisë së Veriut dhe Qendra Kombëtare për Kinematografi (Shqipëri), prodhuar nga Industria Film dhe Ikonë Studio me bashkëprodhim nga Alva Film Production, Black Cat Production, AlbaSky, Swiss National TV, ndërsa të drejtat e shitjes globale i ka LevelK.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)