Zeqiri, takon gazetarët
Prishtinë, 20 janar - Drejtoresha e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Prishtinës, Blerta Zeqiri, u takua me gazetarë për të prezantuar para tyre disa gjetje.
Zeqiri para gazetarëve tha se në zyrën e saj, në ndërtesën e Komunës, ka gjetur disa gurë, që dyshohet se janë të zonës ku është gjetur dhe çezma e vjetër, në shesh, pranë Teatrit Kombëtar.
Këta gurë assesi nuk do duhej të ishin brenda në këtë zyrë, sepse nuk janë pronë e askujt dhe e kanë vendin në muze. Këta gurë ishin të vendosur nën raftin e zyrës. E kam kontaktuar Qendrën Rajonale për Trashëgiminë Kulturore dhe kam kërkuar nga ta që të vijnë ti evidentojnë dhe ti marrin. Po ashtu, sot presim edhe përfaqësuesit e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për ti verifikuar nëse këta gurë janë të njëjtit që po mendojmë ne, tha Zeqiri.
Ajo më tej tha se sipas ligjit, cilido person fizik apo juridik që dëmton trashëgiminë kulturore, pavarësisht marrëdhënieve pronësore me të, dënohet ose sanksionohet në bazë të Kodit Penal të Kosovës.