Whitney Houston frymëzim për studentë të rinj të muzikës
Athinë, 19 shkurt - Whitney Houston, e cila vdiq para një jave, do të varroset nesër në vendlindjen e saj New Jersey. Në Kaliforni, muzikantë të frymëzuar prej saj po e kujtojnë artisten e njohur për mjeshtërinë e saj muzikore dhe zërin e fuqishëm.
Këngëtarja dhe kompozitorja Brienne Moore, studente e vitit të dytë në Universitetin e Kalifornisë Jugore, thotë se disku i parë që ajo bleu ishte me këngë të Whitney Houstonit, muzika e së cilës dëgjohej gjithnjë në shtëpinë e saj.
U rrita duke dëgjuar këngët e saj. Prindërit e mi gjithnjë dëgjonin këngët e saj, prandaj ajo pati një ndikim shumë të madh tek unë.
Studentja e kantos Lara Johnston thotë se ende pushtohet nga emocione të mëdha kur kujton zërin e Whitney Houstonit.
Ajo ka një zë të mrekullueshëm, një fuqi zëri të mahnitshme, por në të njëjtën kohë ajo kishte edhe një ëmbëlsi, ishte delikate në zërin e saj dhe një kontroll të pabesueshëm.
Edhe Lilliana de los Reyes studion muzikë. Atë e frymëzon paraqitja e përsosur në skenë e Whitney Houstonit.
Toni i zërit të saj, edhe kur këndonte me nota të ulta, mijëra njerëz e dëgjonin atë me kënaqësi dhe në heshtje të plotë. Pra ajo ishte në kontroll të plotë në skenë dhe për këtë unë e admiroj atë.
Por fama e saj u shoqërua edhe presione të shumta. Whitney Houston u bë viktimë e abuzimit të drogave. Shkaku i vdekjes nuk është përcaktuar ende, por ata njerëz që e njihnin atë në kulmin e karrierës së saj, mbajnë mend një artiste të thjeshtë dhe shumë të këndshme të punoje me të.
Peter Baron punoi në kompaninë e regjistrimeve Arista për producentin legjendar të muzikës, Clive Davis. Ai drejtoi prodhimin e videove të para muzikore të Whitney Houstonit.
Ajo e gjeti veten papritmas në hapësirën e videove muzikore dhe hapësirën e famës. Ajo e tregoi veten se ishte profesioniste e përsosur, e ëmbël dhe e sjellshme. Kurrë nuk kisha punuar më parë me një artiste si Whitney Houston.
Presioni tek yjet e mëdhenj mund të jetë shumë i vështirë për tu përballuar, thotë Zv. Dekani i Departamentit të Muzikës në Universitetin e Kalifornisë Jugore, Chris Sampson.
Presioni për të ruajtur suksesin, për të ruajtur audiencën tënde është shumë i madh. Artistët e ndjejnë këtë presion, madje shpesh ndjejnë edhe pasigurinë, që krijohet tek ta, diçka që duhet menaxhuar me kujdes.
Por admiruesit e Whitney Houstonit, si Peter Baron, thonë se këngëtarja e famshme krijoi trashëgiminë e një talenti tepër të madh.
Ajo kishte zërin më të mirë të të gjitha kohërave. Me të vërtetë kishte një zë të mrekullueshëm.
Studentja Brienne Moore praktikon një prej këngëve më të preferuara të Whitney Houstonit.
Për shumë prej studentëve të muzikës në këtë brez të ri, Whitney Houston mbetet një ikonë, që vendosi një standar të ri për artistët e ndryshëm.