Veseli vizitoi Panairin e Librit
Prishtinë, 3 qershor - Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka vizituar sot Panairin e Librit në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, të organizuar nga Shoqata e Botuesve të Kosovës.
Gjatë kësaj vizite, Veseli ka bashkëbiseduar me botuesit dhe shitësit e librave, duke u interesuar njëkohësisht, për kushtet e veprimtarisë botuese e të plasimit të librave në treg, si dhe për shkallën e lexueshmërisë së tyre.
Duke u ndjerë i lumtur që gjendet në ambientin midis librave, Veseli ka deklaruar se është mbresëlënës fakti që ky eveniment i rëndësishëm kulturor përcillet me një numër kaq të madh të shtëpive botuese dhe titujve të rinj në të gjitha fushat e dijes, artit e kulturës, dhe njëkohësisht ngjall interesim kaq të madh të qytetarëve. Veseli ka deklaruar se sa më shumë të kthehen njerëzit kah libri, aq më i madh do të jetë edhe interesimi ndaj problematikave që i shoqërojnë zhvillimet në vendin tonë. Krijimtaria artistike dhe intelektuale gjithmonë ka qenë një tipar i dalluar i kulturës sonë kombëtare.
Këtë fuqi krijuese, sot, duhet ta kthejmë në faktorin kryesor të zhvillimit ekonomik dhe demokratik të vendit tonë, është shprehur ai.